Miratohet buxheti i komunës së Tetovës për 2019-n, këshilltarët e BESËS dhe ASh-së votuan kundër
Me 18 vota “për” 13 “kundër” dhe asnjë “të përmbajtur”...

Me 18 vota “për” 13 “kundër” dhe asnjë “të përmbajtur”, u votua sot buxheti i komunës së Tetovës për vitin 2019, njofton "TVM2".
Buxheti nuk u votua nga ana e këshilltarëve të opozitës. Sipas tyre, gjysma e buxhetit është e dedikuar për rroga të administratës komunale dhe një shumë e madhe për aktivitete kulturore artistike e sportive. Sipas këshilltarëve të opozitës, komuna duhet të investojë në infrastrukturë rrugore, kanalizime dhe investime tjera kapitale.
“Kemi shprehur vërejtjet tona, vetëm një informacion duhet të cek, në vitin 2019 komuna e Tetovës parasheh për kulturë dhe sport mbrëmje të xhazit për verën kulturore tetovare parash 371 mijë euro. Ndërsa qyteti ka probleme elementare jetësore, siç janë kanalizimet, rrugët, infrastruktura mungon e shumë probleme tjera”,- tha këshilltari i Lëvizjes Besa, Besar Durmishi.
“Shuma më e madhe e buxhetit shkon për pagat e majme nëpër administratën e komunës së Tetovës. Unë pata një vërejtje për shkak se komuna nuk ka mundur të mbledhë tatimin në pronë”,- u shpreh këshilltari i ASh-së, Arif Selam.
Kryetari i këshillit, Bekim Memeti, është shprehur se 36 milion euro do të jetë buxheti i komunës së Tetovës, që kryesisht është i dedikuar për investime kapitale, infrastrukturën rrugore, kulturë dhe sport.
“Buxheti i komunës së Tetovës gjatë vitit 2019 do të jetë diku 36 milion euro. Duke u përfshirë sfera e arsimit, urbanizmit, investimeve kapitale dhe bllok dotacionet e kështu me radhë. Unë mendoj se nuk ka bazë, nëse do duhet të largojmë një shumë të caktuar nga jeta kulturore dhe sfera e sportit, që të njëjtën pastaj ta zëvendësojmë me projekt tjetër mendoj se është gabim, pasi ne jemi komunë, jemi institucion, duhet të gjejmë mjete edhe për kulturën edhe për sportin por edhe për infrastrukturën”,- u shpreh kryetari i Këshillit komunal – Tetovë, Bekim Memeti.
Këtë vit, në buxhetin e komunës së Tetovës nuk janë paraparë mjete për ndërtimin e shkollës fillore në Reçicë të Vogël, por as për shkollën fillore të fshatit Sellcë.
Ndërkohë, shkolla në Reçicë të Vogël ka qenë edhe premtim i vetë kryeministrit, Zoran Zaev, në zgjedhjet e fundit lokale. (Visar Sadiki, TVM2)
