Maqedoni

Duraku: Ministria e Ambientit ka realizuar 95% të buxhetit

25.12.2018 17:00

Ministria e Ambientit në brifingun e fundvitit prezantoi aktivitetet e ndërmarra këtë vit dhe planet për vitin e ardhshëm...

Ministri, Sadulla Duraku, informoi se 95% e buxhetit të kësaj ministrie është realizuar. Risi sipas ministrit ishte furnizimi me 350 filtra për çerdhet dhe spitalet në vend për përmirësim të cilësisë së ajrit. 
 
Furnizimi i institucioneve me filtra do të vazhdojë edhe gjatë vitit të ardhshëm, theksoi Duraku. Duraku për vitin e ardhshëm paralajmëroi ndërtimin e tri deponive rajonale. Projekti për deponitë rajonale po realizohet me ndihmën e Qeverisë zvicerane. 
 
“Me ndihmën e fondeve IPA kemi siguruar mjete për ndërtimin e një deponie në rajonin veriperëndimor dhe lindor.  Dokumentacioni është përgatitur dhe problemi qëndron te komunat. Ekspertët kanë propozuar një vend ku duhet të ndërtohet deponia, por problemi qëndron te kryetarët e komunave, të cilët nuk dëshirojnë që deponia të jetë në komunën e tyre”,- sqaroi ministri.
 
Po ashtu në brifing u theksua se Qeveria i ka obliguar të gjitha institucionet që gjatë muajve dhjetor, janar dhe shkurt të organizojnë nga një aksion lidhur me ndotjen e ajrit dhe ambientit jetësor.
 
Po ashtu si pjesë e masave për uljen e ndotjes së ajrit u theksua projekti për subvencionim të ngrohjes me peleta, apo fillimin e procesit të zëvendësimit të furrave me naftë, me lëndë ekologjike, për çka në vitin 2019 do të ndahen edhe 400 mijë euro shtesë.
 
Po ashtu u bë e ditur se për programin e menaxhimit me ujërat janë shpenzuar 72 milion denarë, derisa në programin për lëndët fosile janë dedikuar 130 milion denarë.
 
GYLTENE SINANI