Propozim ligji për deputetë, Xhaferi: Nuk komentoj ide, por vetëm tekstin e ligjit
Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, nuk e mohon iniciativën për ligj të deputetëve.....

Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, nuk e mohon iniciativën për ligj të deputetëve i cili mund të ngërthejë privilegje për të zgjedhurit e popullit pas përfundimit të mandatit. Xhaferi nuk komenton këtë ide pa e parë propozim tekstin e ligjit.
“Sa i përket idesë për ligj për deputetët nuk mund të prononcohem për aspektin ideor, për idenë. Unë mund të prononcohem për tekstin konkret, nëse ka propozim konkret ose draft konkret, atëherë mund të them që bën ose nuk bën, kështu që hipotetikisht nuk mund të përcaktohem për hipoteza”,- tha kryeparlamentari, Talat Xhaferi.
NDRYSHIMET KUSHTETUESE, XHAFERI: PRES TË MIRATOHEN PARA 15 JANARIT
Kryeparlamentari pret që ndryshimet kushtetuese do të miratohen para 15 janarit dhe bashkë me Ligjin e gjuhëve do të publikohet në Gazetën Zyrtare.
“Maksimalisht mund të zgjasë 12 ditë sipas rregullave, por nuk besoj që do të harxhohet i gjithë afati maksimal i debatit dhe për atë arsye mendoj që para 15-it do të përmbyllet votimi i amendamenteve dhe miratimi përfundimtar i tyre. Bashkërisht do të shkojnë të dy ligjet në Gazetën Zyrtare”,- u shpreh kryeparlamentari, Talat Xhaferi.
Xhaferi mohon të kandidohet për president në zgjedhjet presidenciale të cilat do t’i shpallë në fillim të shkurtit. Vitin që po e lëmë pas, kryeparlamentari e cilëson të realizuar në përputhje me agjendën e paraparë dhe kompetencat që ka kuvendi. (Meral Ismaili, TVM2)
