Takimet me Gruevskin në Budapest, Tanasoski: Po hetohet nëse ka pasur keqpërdorim të detyrës

25.12.2018 17:47

Për dy personat e punësuar në Doganat e Maqedonisë të cilët u takuan me ish kryeministrin, Nikolla Gruevski....

Për dy personat e punësuar në Doganat e Maqedonisë të cilët u takuan me ish kryeministrin, Nikolla Gruevski, në Budapest, është hapur hetim, ndërsa nga kontrolli i brendshëm do të konfirmohet nëse ka pasur ose jo keqpërdorim të detyrës nga ana e tyre, njofton 'TVM2'.

Këtë e theksoi sot drejtori i Doganave të Maqedonisë, Gjoko Tanasoski, i cili tha se që të dy personat gjatë kohës që kanë qenë në Hungari kanë shfrytëzuar njëri pushim mjekësor e tjetri ditë të lirë, ndërsa konfirmoi se për momentin që të dy vijojnë të shkojnë në punë.

“E drejta e udhëtimit është e drejtë e gjithsecilit dhe është e garantuar me kushtetutë. Si drejtor i Doganës nuk kam as bazë e as të drejtë që të kontrolloj dikë apo t’ia ndaloj të udhëtojë gjatë kohës së lirë ose kur është në pushim. Nuk kisha dashur të zbuloj më shumë detaje, por për personin e dytë, pasi, siç e dini, tanimë zhvillohet procedurë parahetuese edhe për lëndë tjera”,- deklaroi drejtori i Doganës, Gjoko Tanasoski.

Tanasoski në brifingun e sotëm me gazetarët njoftoi se të ardhurat e përgjithshme nga doganat kanë arritur mbi 85 miliard denarë, ndërsa kjo shifër është për 11 për qind më shumë se viti paraprak.

Me softuerin e ri, i cili pritet të vihet në implementim gjatë vitit të ardhshëm, Drejtoria e Doganave iu afrohet standardeve të Bashkimit Europian.

Maqedonia është shteti i parë në rajon që do të vë në funksion softuerin e integruar që do të shërbejë për përpunimin e deklaracioneve dhe dokumenteve akcize, ndërsa me këtë lehtësohet dukshëm procedura e lëvizjes së mallrave. (Zekirija Mexhiti, TVM2)