Maqedoni
Në mesnatë skadoi afati për dorëzimin e kërkesave rreth amnistisë për “27 prillin”
26.12.2018 11:24
Në mesnatë ka skaduar afati për dorëzimin e kërkesave për amnisti për ngjarjet e dhunshme të 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë....

Në Gjykatën Penale të Shkupit deri dje pasdite kishin mbërritur 64 kërkesa konform Ligjit për amnisti. Më pas, Gjykata dhe Prokuroria duhet të vendosin se kush do të përfitojë nga Ligji për amnisti. Megjithatë, ende nuk është bërë e ditur se kush do të vendos në bazë të kërkesave për amnisti: Këshilli Gjyqësor në krye me gjykatësen, Dobrilla Kacarska, ose Këshilli Penal.
Këtë dilemë në fund të ditës duhet ta zgjedh kryetari i Gjykatës, Ivan Xholev. Nga këto 64 persona që kanë kërkuar amnisti, 27 janë në rastin aktual që është në procedurë të provave, ku 31 persona akuzohen për kërcënim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë dhe dy persona për ndihmë. Nga këto 33, vetëm njëri ka deklaruar se nuk e ka ndërmend të kërkojë amnisti. Bëhet fjalë për Jane Çenton, i cili këtë e tha publikisht në seancë. Përpos tij, edhe Igor Jug deklaroi se nuk do të kërkojë amnisti, ndërsa edhe njëri nga udhëheqësit e lëvizjes “Për Maqedoni të përbashkët”, Igor Durllovski, në rrjetin social facebook ka deklaruar se nuk do të kërkojë amnisti.
Edhe ish-drejtori i Byrosë për siguri publike, Mitko Çavkov, nuk ka dorëzuar kërkesë për amnisti, ka informuar mëngjesin e sotëm avokati i tij, Sashko Dukoski, para fillimit të seancës së sotme për ngjarjet e 27 prillit. Dukoski theksoi se Çavkovi dëshiron që pafajësinë e tij ta vërtetojë para gjyqit. Sipas avokatit, Ligji për amnisti është sjell dhe përpiluar vetëm për persona të caktuar të cilët janë akuzuar për 27 prillin vitin e kaluar. Nga gjykata nuk precizojnë me emër dhe mbiemër se kush ka kërkuar dhe kush jo, por thonë se ka kërkesa nga më tepër lëndë.
