Botë
Militantët e ISIS-it marrin përgjegjësinë për sulmin në Tripoli
26.12.2018 12:32
Grupi militant, Shteti Islamik, ka pretenduar të jetë përgjegjës për sulmin në ministrinë e Jashtme....

Grupi militant, Shteti Islamik, ka pretenduar të jetë përgjegjës për sulmin në ministrinë e Jashtme të Libisë në Tripoli, që ka rezultuar me tre persona të vdekur dhe të paktën 20 të tjerë të plagosur.
Sulmi i 25 dhjetorit në ndërtesën e ministrisë ka nisur pas shpërthimit të një makine-bombë si dhe sulmeve me armë zjarri nga tre persona të tjerë. Dy prej tyre kanë hyrë në ndërtesë dhe kanë kryer sulme vetëvrasëse, derisa personi i tretë është vrarë nga rojet e sigurimit. Militantët e IS-it kanë thënë se janë përgjegjës për sulmin, sipas Grupit të inteligjecës që vëzhgon aktivitetin online të organizatave xhihadiste.
Në mesin e personave të vdekur është dhe lideri i grupit të milicisë, Brigada Revolucionare, Abdul-Rahman Mazoughi. Misioni Mbështetës i Kombeve të Bashkuara në Libi ka dënuar sulmin dhe ka theksuar nevojën e “parandalimit të grupeve terroriste, ashtu që të mos kthejnë tokën e Libisë në zonë për kryerjen e krimeve të tyre”. Libia është përballur me trazira nga viti 2011 prej kur është rrëzuar nga pushteti diktatori, Muammar Gaddaf. Ky shtet është i ndarë në mes të qeverive rivale, të cilat mbështesin grupe të ndryshme të militantëve.
