Kulturë

2018-a në sferën e kulturës, Teatri i Tetovës nën hetime se ku shkuan paratë; Ademi: në 2019-n, nivelizimi i pagave të punonjësve kulturorë

26.12.2018 17:19

Ministri i kulturës, Asaf Ademi, ka prezantuar raportin vjetor për vitin 2018, një vit i begatë, sipas tij, me 380 aktivitete kulturore...

Për shqiptarët ky vit do të mbahet mend me vendimet për themelimin e dy institucioneve nacionale: Ansamblin e  Këngëve dhe Valleve Shqiptare në Maqedoni dhe Teatrin e Gostivarit, por edhe për mospërfundimin e premtuar të teatrove në Shkup e Tetovë.
 
Ademi premton se teatri i Shkupit do të përfundojë në 2019-n, ndërsa për teatrin e Tetovës janë ngritur procedura hetimore se ku janë harxhuar paratë.
 
“Sa i përket tetarit në Tetovë, bëhet fjalë për fazën e parë, besoj që gjatë mesit të vitit të ardhshëm do të përfundojë faza e parë. Jemi shumë larg dhënies së përdorimit të objektit. Duke marrë parasysh kompleksitetin dhe dokumentacionin  të cilin unë  e kam, që mua mu duk i paqartë edhe unë  thirra organe tjera që ta hetojnë dokumentacionin dhe t’i arsyetojnë harxhimet që janë bërë, kjo është pranë organeve të ndryshme hetuese. Lidhur me objektin e teatrit në Shkup,  besoj qe gjatë vitit të ardhshëm, gjatë pjesës së parë të vitit, do të jetë në përfundim”,- tha ministri i kulturës, Asaf Ademi.
 
Buxheti për kulturë në 2019-n arrin në 3,1 miliardë denarë. Ademi tha se deri në mars do të zhvillohet nivelizimi i pagave të punonjësve kulturorë.
 
“Deri në mars të vitit 2019 do të bëjmë nivelizimin e pagave në kulturë sipas veprimtarive . Nivelizimi në sferën e kulturës zbatohet sepse një periudhë të gjatë ka probleme lidhur me parregullsitë në lartësinë e bruto koeficienteve, përllogaritjen e pagave, respektivisht për të njëjtin vend pune në dy institucione ka koeficientë të ndryshëm bruto për përllogaritjen e pagës”,- tha ministri i kulturës, Asaf Ademi.
 
Ministri Ademi theksoi se në 2018-n është thyer rekordi për mbështetje të artistëve të pavarur.
 
Gjithashtu janë realizuar edhe analiza për procesin e decentralizimit të institucioneve nacionale me Njësinë e vetëqeverisjes lokale.
 
Por, prioritet i kulturës ende mbetet ligji i ri me interesin publik në kulturë.
 
REJHANE BUSHI METAJ