Maqedoni

Letra e Bejlit drejtuar gjyqësorit, Zaev: Do të ketë hetime për zbardhjen e dyshimeve

27.12.2018 14:30

Kryeministri, Zoran Zaev, do të kërkojë zbardhjen e dyshimeve të shtruara nga ambasadori amerikan, Xhes Bejli.....

Kryeministri, Zoran Zaev, do të kërkojë zbardhjen e dyshimeve të shtruara nga ambasadori amerikan, Xhes Bejli, se gjykatës të caktuar keqpërdorin Ambasadën amerikane në marrjen e vendimeve gjyqësore. Zaev pas pyetjes së deputetit Milloshovski se a do të ketë hetime, tha se çështja do të hapet në Këshillin Gjyqësor, ndërkaq edhe ai vetë direkt do ta pyes ambasadorin Bejli për detajet.
 
“Me të vërtetë e kuptoj mesazhin që askush mos të thirret në ambasadën gjatë marrjes së vendimeve. Meqë është theksuar nga ambasadori i një vendi mik, është një sinjal i fuqishëm të ndërmarrim masa se cila është arsyeja e letrës së tillë. Edhe ministrja e drejtësisë do ta ketë parasysh këtë, por edhe me ambasadorin do të flas për përgjigje të detajuar”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.
 
Deputeti Milloshovski e cilësoi letrën si skandal gjyqësor për të cilin është në dijeni edhe Departamenti Amerikan i Shtetit.
 
“Kjo do të thotë se edhe diplomacia amerikane në nivel më të lartë është e njoftuar se në Maqedoni gjykatës po keqpërdorin një ambasadë  për marrjen e vendimeve gjyqësore. Andaj konsideroj se kjo letër është një skandal diplomatik dhe gjyqësor”,- theksoi Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.
 
Pyetjet e deputetëve kaluan në zënka midis deputetes opozitare, Nevenka Stamenkovska, dhe ministrit të administratës, Damjan Mançevskit, për riorganizimin e administratës. 
 
“Në raportin e fundit të Komisionit Europian thuhet se LSDM po bën partizimin e shtetit, institucioneve dhe në vend të kuadrit cilësor emëron kuadër të partizuar”,- tha Nevenka Stamenkovska nga VMRO-DPMNE. 
 
“Kërkoj falje, por do të kërkoj nga ju të mos gënjeni. Më tregoni saktë se ku në raport, ku LSDM është fajtore për politizim të institucioneve? Do t’u rikujtoj, në shumë raporte paraprake të komisionit kur VMRO ishte në pushtet, ku thuhet se vendi ka realizuar përparim të caktuar dhe u cilësua si shtet i robëruar”,- tha ministri i shoqërisë informatike dhe administratës, Damjan Mançevski.
 
Nga parashtrimi i pyetjeve për ekzekutivin hoqi dorë deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Syrija Rashidi, pasi opozita shqiptare po lihet kah fundi i listës.
 
“E vetmja mënyrë dhe formë për të arritur të shtrojmë pyetje është që të merremi vesh me kolegët nga VMRO-ja që të na lëshojnë ndonjë vend, përndryshe nuk bën. Kjo është në kundërshtim edhe me praktikën në të kaluarën kur opozita shqiptare së paku ka qenë e radhitur në numrin dy për të shtruar pyetje deputetësh dhe dilema kryesore që unë shtroj këtu është se kujt i pengon zëri i opozitës shqiptare”,- tha Syrija Rashidi nga Aleanca për Shqiptarët.
 
Reagoi kryeparlamentari Xhaferi, i cili tha se renditja bëhet në bazë të paraqitjes, ndërkaq ndryshimi i listës mund të bëhet me dakordim brenda opozitës.   
 
MERAL ISMAILI