Maqedoni
KSL: Po bëhet presion politik ndaj aktivistëve sindikalë
27.12.2018 15:06
Sindikata e Administratës Shtetërore ankohet për partizim dhe presion politik të këtij sektori....

Sindikata e Administratës Shtetërore ankohet për partizim dhe presion politik të këtij sektori, e sidomos ndaj sindikatave, pasi, siç u theksua në pres-konferencën e Konfederatës së Sindikatave të Lira, kryetari i kësaj sindikate, ashtu si edhe kryetari i Organizatës Sindikale, në Agjencinë për Punësim dhe kryetari i Sindikatës për Transport dhe Lidhje janë përjashtuar nga vendi i punës. Po ashtu ata ankohen për paga të ulëta, të cilat arrijnë në rreth 18 mijë denarë.
“Presioni dhe ndjekja e liderëve sindikalë është një dukuri gjithnjë e më e shpeshtë në sektorin publik. Ne kërkojmë vetëm pagë dinjitoze për jetë dinjitoze, të ndërpritet tallja me ne, diskriminimi dhe njëherë e përgjithmonë administrata publike të shndërrohet në servis profesional për qytetarët”,- tha kryetari i KSL-së, Bllagoja Ralpovski.
Nga kjo sindikatë njëherit kundërshtuan idenë për transferim të një pjese të administratës publike në sektorin privat.
“Transferi nga sektori publik te ai privat nuk do të jetë reformë efikase, por vetëm do të na kthejë pas administratën. Kërkojmë qeveria menjëherë të tërhiqet nga një ide e tillë, të ngrihen punësimet në sektorin publik dhe në rrugë natyrore pasi 5 deri në 7% e administratorëve pensionohen brenda vitit, të zvogëlohet numri i të punësuarve etj”,- u shpreh kryetari i KSL-së, Bllagoja Ralpovski.
Nga Sindikata e Administratës Shtetërore paralajmëruan protestë më 26 janar të vitit të ardhshëm në Shtip, ndërsa nëse nuk realizohen kërkesat e tyre nuk e përjashtojnë edhe mundësinë për grevë.
GYLTENE SINANI
