Maqedoni
Rasti “Tortura”, Mijallkov: Kam punuar në bazë të dëshmive
27.12.2018 16:07
I akuzuari për rastin “Tortura”, Sasho Mijallov, gjatë dëshmisë së tij në gjykatë tha se çdoherë ka punuar duke u bazuar në dëshmi....

Seanca vazhdoi me lëshimin e videove ku ka mbajtur fjalim Boshkovski, i cili akuzon Mijallkovin për pasurinë e tij dhe për lidhjet e tij me Orçe Kamçevin. Pas video-incizimeve, Mijallkov tha se Boshkovski publikisht ka kërkuar falje për shpifjet gjatë fushatës parazgjedhore dhe se për këtë rast ai ka punuar duke u bazuar në dëshmi.
Për arrestimin e Boshkovskit ka pasur dëshmi, me ç’rast gjykatësi kompetent ka dhënë urdhër për arrestim për vepër penale. Opinioni ka pasur mundësi t’i shohë videot, ku Boshkovski për herë të tretë në mënyrë joligjore merr 100 mijë euro kesh të cilat i hedh për të shpëtuar prej tyre. Pasi ai filloi të rezistojë zyrtarët nga Byroja e Sigurisë Publike vepruan në pajtueshmëri me trajnimin që kanë kaluar.
Ndërkohë, avokati i Sasho Mijallkovit, Lupço Shvrgovski, tha se pret që PSP të sjellë vendim pozitiv për kërkesën për lirim nga paraburgimi të Mijallkovit.
“Kur ofrohet garanci, e njëjta ofrohet për t’u mbrojtur në liri dhe jo për paraburgim shtëpiak. Cilido të jetë qëndrimi i Prokurorisë nuk e di, por presim tërësisht të lirohen. Në çdo rast më mirë është arrest shtëpiak sesa burgim”,- tha avokati mbrojtës i Mijallkovit, Lupço Shvrgovski.
Ndërkohë, gjykimi për rastin “Trajektorja” të PSP-së do të vazhdojë më 30 janar në mënyrë që avokati i caktuar nga gjykata për mbrojtjen e Gruevskit të ketë kohë të përgatitet për rastin. Gjykata më herët kishte pranuar me kërkesë të PSP-së që të akuzuarit në arrati, Nikolla Gruevskit, t’i shqiptohet masa e paraburgimit.
Gjykatësi, Goran Boshevski, fillimisht konstatoi se avokatët e Nikolla Gruevskit kanë hequr dorë nga përfaqësimi i tij dhe i caktoi Gruevskit një avokat sipas detyrës zyrtare. Avokati i caktuar sipas detyrës zyrtare për Nikolla Gruevski kërkoi që seanca e sotme të shtyhet në mënyrë që të përgatiten për seancën për shkak të vëllimit të rastit.
Në “Trajektore” akuzohen ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, ish-zëvendëskryeministri, Vlladimir Peshevski, ish-ministri i transportit dhe lidhjeve, Mile Janakievski, dhe ish-drejtori për rrugë shtetërore, Lupço Georgievski, se në vitin 2012/2013 i kanë tejkaluar autorizimet e tyre në procedurën për përzgjedhjen e kompanisë për ndërtimin e pjesëve të autostradës deri në Shtip dhe Ohër.
FLUTURA LATIFI
