Botë
Vendimet e qeverisë për studentët, Meta: Mbështes çdo reflektim të sinqertë
27.12.2018 17:26
Një ditë pasi Qeveria shqiptare miratoi 12 vendime në favor të studentëve, vjen reagimi i presidentit, Ilir Meta.....

Nga qyteti i Korçës, Meta tha se mbështet çdo reflektim të sinqertë, ndërsa shtoi se problemi zgjidhet me dialog dhe bashkëpunim konstruktiv, joprovokues, jondarës dhe jointimidues.
Meta, gjithashtu komentoi edhe refuzimin e lejes së policisë së Tiranës për diasporën për të protestuar para Kryeministrisë në datat 28-30 dhjetor në intervale të ndryshme kohore. Meta tha se nuk e beson se policia e ka refuzuar lejen. Sipas tij, nëse leja u është refuzuar atëherë i ftoi që ta zhvillojnë tubimin në oborrin e Presidencës.
Një ditë më parë, kryeministri Rama mblodhi Këshillin e ministrave ku u diskutuan 8 pikat e kërkuara nga ana e studenteve të cilat u miratuan me vendim të Këshillit të ministrave. Vendimet kishin të bënin me përgjysmim të tarifave të shkollimit, arsim të lartë falas për studentët ekselentë, rikonstruksion konviktesh, si dhe një sërë vendimesh të tjera në favor të studentëve.
LULJETA NDOKA
