Maqedoni

Viti 2018 nga prizmi i BDI-së, Ahmeti: Fillim i vështirë dhe fund i suksesshëm

27.12.2018 17:32

Marrëveshja me Bullgarinë, Marrëveshja me Athinën dhe Ligji për përdorimin e gjuhëve janë arritje më të mëdha që kanë shënuar vitin 2018....

Sipas kreut të BDI-së, Ali Ahmetit, këto janë shtyllat që sollën ftesën për anëtarësim në NATO dhe rekomandimin për fillimin e negociatave vitin që vjen. Gjithsesi, sukseset e deritanishme duhet ndarë forcat vendore me miqtë ndërkombëtarë, theksoi Ahmeti në fjalimin e fundvitit.
 
“Më 9 janar fillon seanca për ndërtimin e historisë më të re të këtij shteti. Shtet i organizuar dhe i pranuar në të gjitha strukturat, NATO, BE dhe në miqësi dhe harmoni me të gjitha vendet e rajonit. Prandaj, opozita nga të dyja anët mos e shfrytëzojnë këtë situatë kaq të rëndësishme dhe vendimtare për të rritur kredibilitetin e vet politik e partiak, sepse në këtë situatë nuk është momenti që të shfrytëzojmë këto momente të rëndësishme për zgjerim e rritje të partive politike”,- tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
BDI mbetet në qëndrimin për një kandidat të dakorduar për president republike. Sipas Ahmetit, bisedimet me partnerët e koalicionit kanë filluar por ende nuk është dakorduar një kandidat konkret. 
 
“Para nesh vijnë zgjedhjet presidenciale, BDI është konsekuent në qëndrimet e veta. Ne duam që parimet të respektohen, sepse mendojmë që janë parime të shëndetshme dhe i bëjnë mirë vendit tonë. Duam president të dakorduar nga palët dhe me këtë rast nga palët që kanë marrë përsipër një mision shumë të rëndësishëm, që ta shpijnë RM-në drejt majave fitimtare”,- theksoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
Prioritetet e BDI-së gjatë vitit 2019 janë: rritja e cilësisë dhe vlerave brenda institucioneve, madje siç tha vetë Ahmeti, nisur nga radhët e partisë që drejton. Vlera të shtuara në shëndetësi, arsim dhe ekologji. 
 
Në kontekstin rajonal, BDI konsideron se marrëdhëniet Kosovë - Serbi, në kontekst të sigurisë, paraqesin një vrimë të zezë në rajon, prandaj BDI inkurajon palët që të gjejnë energji dhe të arrijnë zgjidhje të dobishme për palët dhe rajonin. 
 
SHPËTIM NUREDINI