Maqedoni
VMRO-DPMNE: Po hapen dyert për partizim të institucioneve. Zaev: Zëvendësdrejtorët ndikojnë në tempon e shërbimeve
27.12.2018 18:17
Deputetët e LSDM-së dhe të BDI-së kanë propozuar propozim ligj për ndërmarrjet publike...

Deputetët e LSDM-së dhe të BDI-së kanë propozuar propozim ligj për ndërmarrjet publike, me të cilin parashihen që të gjitha 129 ndërmarrjet publike të themeluara nga komunat plus Qyteti i Shkupit, përveç drejtorëve, të kenë të emëruar edhe zëvendësdrejtor.
Deri më tani në këto 129 ndërmarrje, sipas ligjit, nuk kanë pasur të drejtë të emërojnë zëvendësdrejtor, por drejtori ka pasur të drejtë që në mungesë të tij të caktojë një person të punësuar në atë ndërmarrje, ta caktojë për person përgjegjës për punën e ndërmarrjes.
Në këtë vendim kanë reaguar ashpër nga VMRO-DPMNE-ja, e cila ka pohuar se kjo është një ngarkesë plus për buxhetin e shtetit dhe se përmes parasë publike qytetarët po plotësojnë dëshirat e funksionarëve të kësaj partie.
“LSDM, me procedurë të shkurtuar, po fut ligje për ndërmarrjet publike, ku në këto ndërmarrje kanë paraparë të vendosin edhe pozicione të zëvendësdrejtorëve. LSDM me këtë po hap dyert për partizim edhe më të madh të institucioneve dhe nepotizëm, dhe rëndon buxhetin e shtetit me qindra funksionarë të ri. Ky funksion nuk është aspak funksional, sepse ky zëvendësdrejtor ka për obligim vetëm ta zëvendëson drejtorin kur drejtori mungon. Nëse në vend kemi 84 komuna dhe të gjitha këto komuna kanë ndërmarrje publike dhe a mund të merrni me mend sa do të jetë numri i atyre personave të punësuar, të cilët do ta rëndojnë buxhetin e shtetit me harxhime plotësuese, ndërsa nga ana tjetër jemi plotësisht të vetëdijshëm se buxheti i shtetit nuk do të mund ta gëlltit edhe këtë luks të LSDM-së dhe kësaj Qeverie”,- thuhet nga VMRO.
Ndërsa me ligjin e ri, sipas VMRO-DPMNE-së, shumë qartë thuhet se në mungesa më të gjata të drejtorit atë e zëvendëson një i punësuar në atë ndërmarrje, i cili e udhëheq punën e kompanisë.
Ndërsa kryeministri, Zoran Zaev, porosit që mos të bëhet bujë për shkak të sjelljes së këtij ligji.
“Qëllimi ynë është që zëvendësdrejtorët në mënyrë të kompletuar të mund t’i zëvendësojnë drejtorët, por edhe ta diktojnë tempon për dhënien e shërbimeve shtetërore deri tek qytetarët. Harxhimet të tilla për zëvendësdrejtorët është minimal, ndërsa shërbimi i tyre drejt qytetarëve do të jetë shumëfish me efektiv”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.
Me ligjin e ri këta zëvendësdrejtorë do të emërohen nga këshillat drejtues të ndërmarrjeve, ashtu siç qëndron Ligji për drejtorët.
Zëvendësdrejtori do t’i ketë të njëjtat benificione si drejtori me kabinet të tij, me shofer zyrtar, me sekretar dhe një këshilltar. Në bazë të përllogaritjeve të para emërimi i zëvendësdrejtorëve do t’i kushtojë vendit afro 2 milion euro në vit.
FITIM KRYEZIU
