Botë

Shqipëri, Rama ka bërë 9 ndryshime në qeveri

28.12.2018 17:24

"Furtunë" në qeverinë shqiptare. Kryeministri, Edi Rama, ka bërë plot 9 ndryshime në qeveri, 7 prej të cilave në nivel ministrash....

Gjatë punimeve të Asamblesë Kombëtare të PS-së, Rama ka shkarkuar ministren e arsimit, Lindita Nikollën, atë të financave, Arben Ahmetajn, të infrastrukturës, Damian Gjiknurin, të punëve të jashtme, Ditmir Bushatin, të kulturës, Mirela Kumbaron, të bujqësisë, Niko Peleshin, dhe ministren e shtetit për sipërmarrjen, Sonila Qaton. Gjithashtu, ndryshimet kanë prekur edhe postin e zëvendëskryeministrit, ku largohet Senida Mesi dhe në vend të saj emërohet Erion Braçe. Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama tha se studentët i kishin dhënë një leksion mallëngjyes nëpërmjet protestave.  
 
Rama paralajmëroi shkarkimin e Nikollës, ndërsa ministrja e re është Besa Shahini nga Kosova. Lidhur me këto ndryshime ka reaguar edhe kreu demokrat, Lulzim Basha, dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi. Me këto ndryshime, sipas tyre, qeveria ra në greminë.  
 
Ministrat e rinj kanë karakter teknik, dy janë zëvendësministra të cilët në shtatorin 2017 Rama i ftoi nga Kosova për të ardhur në Tiranë: Besa Shahini dhe Gent Cakaj. Tashmë, 50% e qeverisë së z. Ramës përbëhet nga zonja.
 
LULJETA NDOKA