Maqedoni
Fjalimi i fundvitit i presidentit, Ivanov: Hidhni poshtë marrëveshjen e Prespës!
28.12.2018 17:58
Presidenti i Republikës, Gjorge Ivanov, konsideron se Maqedonia po përballet me kërcënime....

Presidenti i Republikës, Gjorge Ivanov, konsideron se Maqedonia po përballet me kërcënime dhe rreziqe të brendshme dhe të jashtme për sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë. Sipas tij, Marrëveshja e Prespës, Marrëveshja me Bullgarinë dhe e ashtuquajtura “Platforma e Tiranës” po rrënojnë Maqedoninë. Në fjalimin e fundvitit dhe të fundit për këtë mandat, Ivanov ftoi deputetët që të hedhin poshtë Marrëveshjen e Prespës dhe ndryshimet kushtetuese.
“Sot, nga kjo foltore, ende shpresoj se kjo shumicë parlamentare do të mbledh forcat dhe do të dëgjoj zërin e popullit dhe do të hedh poshtë Marrëveshjen e Prespës dhe amendamentet për ndryshimin e Kushtetutës. Populli jo vetëm që zgjodhi, por edhe mbrojti emrin e shtetit të vet, e ai është Republika e Maqedonisë. Ndërkaq, unë si kryetar mbroj vullnetin e popullit dhe nuk mendoj të bëj përjashtime”,- u shpreh presidenti i Republikës, Gjorge Ivanov.
Sa i takon Ligjit për amnisti, Ivanov pyeti Kuvendin se cili është dallimi mes amnistisë dhe faljes që ofroi ai. Sipas tij, dallimi qëndron te qëllimet.
“Qëllimi im ishte pajtimi përmes faljes, ndërkaq, qëllimi juaj është sigurim i mbështetjes për ndryshimet kushtetuese përmes shantazhimeve. Përderisa unë vendimet për falje i mora për të parandaluar kaos në shtet, ju vendimin për amnisti e merrni për të rregulluar me ligj shantazhet me të cilat krijohet kaos në shtetin ligjor”,- tha presidenti i Republikës, Gjorge Ivanov.
Ivanov tha se Ligjin për amnisti e ka dekretuar pikërisht për këtë qëllim, që të provojë qëllimet e vërteta të shumicës.
Gjatë fjalimit të fundvitit, presidenti “hodhi baltë” edhe mbi shërbimet e sigurisë. Sipas tij, DSK vazhdon me përgjimet e paligjshme. Madje, sipas presidentit, pavarësisht ndryshimit të qeverive, në Maqedoni ende funksionon e ashtuquajtura “UDBA”, e cila vepron me metodat e saj.
Promovimi i reformave të parapara me raportin e Pribesë, sipas presidentit Ivanov, janë vetëm fasadë. “Vërejtjet e Pribesë nuk janë plotësuar në thelb”,- theksoi Ivanov. Dështime edhe në ekonomi. “Në vend të projekteve të mëdha ekonomike dhe ulje të papunësisë kemi huamarrje më të madhe, korrupsion, nepotizëm dhe emërim të personave të papërgjegjshëm në pozicione me përgjegjësi.
SHPËTIM NUREDINI
