Maqedoni

Fjalimi i Ivanovit në Parlament, reagime të ashpra të shumicës parlamentare

28.12.2018 18:07

Fjalimi i fundit i presidentit, Gjorgi Ivanov, në parlament, ka ngjallë reagime të ashpra tek të gjitha partitë të cilat përbëjnë shumicën parlamentare....

Bashkimi Demokratik për Integrim e ka cilësuar si politikan i dështuar i cili i ka ditët e numëruara dhe se lajmi i mirë për vendin është se ai shumë shpejt po largohet nga detyra e një vendi, të cilin e ka mbajtur në izolim gjatë këtyre 9 viteve të mandatit të tij.  
 
“Gjëja më e mirë dhe lajmi më i mirë që ka ndodhur sot është se Ivanovi i ka ditët e numëruara edhe atë shumë të numëruara. Fatkeqësia e shtetit tonë po largohet nga vendi të cilin e ka okupuar,  edhe atë shumë shpejt, brenda dy muajve. Ivanovi do ta kishte lakmi edhe Çarls Bojkot, por Ivanovi e ka tejkaluar edhe vetë Çarls Bojkotin, si dhe në mënyrë brutale e ka dhunuar vullnetin e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, si dhe e ka dhunuar kushtetutën e këtij vendi”,- tha deputeti i BDI-së, Artan Grubi.
 
Nga LSDM kanë pohuar se e keqja e vendit që quhet Gjorgi Ivanov po largohet nga vendi, sepse ky njeri gjatë dy mandateve të tij ka dhënë pasqyrë të një politikani i cili ka ngelur në të kaluarën dhe se gjatë këtyre viteve vetëm ka shpërndarë urrejtje tek të rinjtë dhe me këtë ka treguar se është kundër vendit dhe kundër të rinjve, dhe i cili ka qenë vetëm në shërbim të krimit të Nikolla Gruevskit. 
 
“Ivanovi po shkon, ky është fjalimi i tij i fundit, i personi i cili në mënyrë jonjerëzore dhe në dëm të shtetit e ka ushtruar funksionin kryetar. Edhe në këtë fjalim të tij, tregoi se orientimin e tij anti-perëndimor dhe anti-popullor. Ky është mbetja e fundit e regjimit kriminal të Nikolla Gruevskit. Ivanov me fjalimin e tij i ofendoi të gjithë deputetët, por edhe të gjithë qytetarët”,- u shpreh deputeti i LSDM-së, Kostadin Konstandinov.
 
Por, epitete të tilla nuk kanë dhënë nga VMRO-DPMNE, të cilët Ivanovin e kanë vlerësuar si politikan i cili ka qenë konzistent në qëndrimet e tij dhe ka qenë i përkushtuar maksimalisht në ruajtjen Maqedonisë dhe gjuhës së saj.
 
“Nëse analizohen të gjitha fjalimet e tij të mëhershme në këto 9 vitet e fundit, mendoj se ka dhënë pasqyrë të një politikani konzistent. Ivanov ka treguar edhe gatishmëri që ta pranojë mbajtjen e referendumit si vullnet i popullit për ta ruajtur identitetin e tyre dhe Maqedoninë ashtu siç është. Vendimi i qytetarëve për ta hedhur poshtë tentimin e kësaj qeverie, për ta ndryshuar emrin, është një tregues i mirë për të gjithë ne, përfshirë edhe kryetarin”,- tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshevski.
 
Nga LSDM kanë pohuar se pas Ivanovit qytetarët e vendit do të marrin propozime për kryetarë të cilët do të jenë në shërbim të qytetarëve dhe në interes të shtetit. Me shumë gjasa pritet që LSDM dhe BDI, me pëlqim edhe të partive tjera, në përjashtim të VMRO-DPMNE-së të dalin me një kandidat të përbashkët konsensual, i cili do të triumfonte që në rrethin e parë.
 
FITIM KRYEZIU