Maqedoni
Zjarr në një dyqan gomash, një person humbi jetën e tre u lënduan
28.12.2018 18:19
Një person ka humbur jetën, ndërsa tre të tjerë janë lënduar si rezultat i shpërthimit të një zjarri në një dyqan gomash në rrugën Jordan Mijallkov në Shkup....

Shkaktarë për shpërthimin e zjarrit, sipas komandantit të Njësitit të zjarrfikësve në rajonin e Shkupit, Xvonko Tomevski, kanë qenë bombolat e gazit të cilat janë shfrytëzuar për ngrohje. Njësiti zjarrfikës, pasi ka pranuar thirrjen, ka ndërhyrë me 8 automjete dhe 22 zjarrfikës të cilët kanë arritur që të lokalizojnë zjarrin që të mos shpërndahet edhe në objektet përreth, por për fat të keq nuk kanë arritur që në kohë të shpëtojnë viktimën i cili ka mbetur brenda objektit.
“Kolegët ishin të ndarë në 3 sektorë të cilët me një punë joegoiste dhe të mundimshme arritën të ndalnin zgjerimin e zjarrit, por për fat të keq gjatë pastrimit brenda të objektit është gjetur trupi i një njeriu të punësuar në servis. Arsyet e zjarrit nga ajo që pamë në vendngjarje janë bombolat e gazit. Ne gjetëm dy bombola gazi të cilat me siguri janë përdorur për t’u ngrohur, njëra ishte në tërësi e dëmtuar, ekziston edhe rrezik për eksplodim të saj, por në kohë është nxjerrë nga objekti dhe është ftohur. Arsyet do të vërtetohen në mënyrë plotësuese nga ana e krim teknikës”,- theksoi komandanti i Njësitit të zjarrfikësve në rajonin e Shkupit, Xvonko Tomevski.
Njësiti i zjarrfikësve ka intervenuar edhe në 5 raste të tjera të cilat kanë përfunduar pa pasoja në njerëz.
GAZMEND KURTISHI
