Maqedoni

Ligji për amnisti, amnistohen 15 persona, refuzohen 14 kërkesa

28.12.2018 18:31

Prokuroria ka dhënë mendim pozitiv edhe për tre të akuzuar për ngjarjet e 27 prillit që kanë kërkuar amnisti....

Për 14 të akuzuar, prokurorët nuk pajtohen që të mbulohen nga amnistia. Nga gjithsej 29 kërkesa, pozitivisht është vendosur për 15, ndërsa të tjerët nuk i plotësojnë kushtet. Dje pas vendimit të prokurorisë, gjykata amnistoi 12 të akuzuar, në mesin të cilëve pesë deputetët, Luben Ardaudov, Krsto Mukovski, Sasho Vasilevski, Johan Tarçullovski dhe Lupço Dimovski, Zaharie Simovski, Mitre Pitropovski, Stefan dhe Mihaell Mlladenovski, Ilija Sllavevski, Elena Bozhinovska dhe Ivan Cvetanovski. Për ngjarjet e dhunshme në Kuvend vetëm 5 persona nuk kërkuan amnisti, Jane Çento, Igor Jug, Mitko Çavkov, Dushko Lazarov dhe Igor Durllovski. Ata deklaruan se pafajësinë e tyre do ta dëshmojnë në procedurë gjyqësore.
 
Ndryshe, me propozim të Prokurorisë Speciale Publike, Këshilli Penal pranë Gjykatës së Apelit ka vendosur që edhe Mile Janakievski dhe Kirill Bozhinovski të dalin nga paraburgimi që po e mbajnë në burgun e Shutkës dhe masa t’u zëvendësohet me arrest shtëpiak. Masa e arrestit shtëpiak u shqiptua edhe për të dyshuarit në rastin e fundit “Perandoria”, Nenad Josifoviq dhe Zorica Arsovska. Përveç zëvendësimit të masës së kujdesit, të akuzuarve dhe të dyshuarve u janë marrë dokumentet e udhëtimit. 
 
Prokuroria Speciale Publike gjatë ditës së sotme edhe për ish shefin e DSK-së, Sasho Mijallkov, ka dorëzuar propozim për zëvendësim të masës së paraburgimit me masë më të lehtë të kujdesit, gjegjësisht masën e paraburgimit shtëpiak. Pas këtij propozimi do të vendos Gjykata e Apelit, prej ku do të kuptohet se nëse edhe Mijallkov së bashku me bashkëpartiakët dhe biznes-partnerët e tij do të lëshojë burgun e Shutkës. Mijallkov tani për tani është i vetmi nga rasti “Perandoria” që është në paraburgim. Këtë masë ai e fitoi më 2 nëntor, pasi paraprakisht ishte anuluar paraburgimi për lëndën “Target dhe Fortesa”. 
 
Me vendim të Gjykatës së Apelit, dje nga paraburgimi u liruan Orce Kamçe, Cvetan Pandellevski dhe të akuzuar të tjerë në lëndën “Perandoria”.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI