Maqedoni
Aleanca për Shqiptarët, Taravari: 2018-a varfëroi dhe largoi qytetarët
28.12.2018 18:38
Viti 2018 nuk solli jetesë më të mirë për qytetarët e vendit....

Viti 2018 nuk solli jetesë më të mirë për qytetarët e vendit, por mund të llogaritet si vit i cili varfëroi edhe më tepër qytetarët dhe si vit ku u larguan një numër i madh i qytetarëve. Kështu e vlerëson Aleanca për Shqiptarët vitin 2018. Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Taravari, me kritika edhe për pushtetin gjyqësor dhe për veprimin, siç e quan ai, “skandaloz” të amnistisë. Sipas tij, gjykatat janë njësoj si më parë por tani nuk e kanë shef Gruevskin, por Zaevin. Ndërsa, një nga ngjarjet më flagrante të diskriminimit të një populli, sipas Taravarit, është Ligji për gjuhën shqipe.
“Njerëzit e BDI-së, që e ruajnë ligjin e gjuhëve si aset për zgjedhjet e ardhshme presidenciale, vetëm se e kanë nënvlerësuar shumë popullin shqiptar, i cili tashmë nuk beson në gënjeshtrat e tyre. Jeta jonë është kthyer në lojë të kësaj partie. Premtimet e mbështetura dhe shpeshherë të hartuara nga zotëri 20% kanë sjellë këtë kaos social dhe varfëri ekstreme që po përjetojmë në përditshmëri”,- tha Arben Taravari nga ASh.
Taravari ka drejtuar kritika edhe për ekonominë në vend, duke thënë se sektori i investimeve kapitale ka shënuar rënie rekorde në vitin 2018, gjë që tregon se ekonomia nuk shkon në këtë shtet. Nuk la pa përmendur edhe rastin e marrjes së kompetencave të komunës së Gostivarit në arsim.
“Marrja e kompetencave në arsim vetëm në këtë komunë ishte një veprim kryekëput politik, i cili ndodhi vetëm në Gostivar. Mirëpo, aq ishte i padrejtë, sa intimidoi pjesën tjetër të pushtetit, e cila sado që është bërë puthadorëse e BDI-së, u desh të thotë stop. Si duket edhe partia e Zaevit po kupton se BDI nuk ka më kredibilitet në popull”,- tha Arben Taravari nga ASh.
Taravari më tej deklaroi se partia e tyre ka dilema shumë të mëdha, nëse do të votojnë “për” ose “kundër” në fazën e tretë të ndryshimeve kushtetuese në lidhje me Marrëveshjen e Prespës.
ERSAN PAJAZITI
GAZETAR:
ERSAN PAJAZITI
