Gjendet një i vdekur afër një veture
Me një plumb në kokë mbrëm është vrarë 38 vjeçari D.N nga Shkupi...

Me një plumb në kokë mbrëm është vrarë 38 vjeçari D.N nga Shkupi. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Sharpllaninska” në komunën e Gjorçe Petrovit në afërsi të kazermës “Gjorçe Petrov”.
38 vjeçari është gjetur pranë veturës “Pasat”, në pronësi të 65-vjeçarit, D.N. Nga MPB e kanë konfirmuar rastin, duke bërë të ditur se për këtë incident është ndaluar një person.
“Më datë 28.12.2018 në orën 21.38 është denoncuar se në rrugën ‘Sharpllaninska’ në lagjen Dame Gruev në Shkup, ka një person të shtrirë në tokë dhe afër tij një makinë ‘Pasat’, për të cilin më vonë është vërtetuar se është në pronësi të D.N (65). Është vërtetuar se personi i vrarë është D.N nga Shkupi, ndërsa vepra është bërë me armë zjarri”.
Nga Prokuroria Themelore Publike kanë urdhëruar grumbullimin e të gjithë gjurmëve të gjetura në vendngjarje dhe ekspertizën e tyre, ndërsa trupi i të ndjerit është dorëzuar për obduksion.
Dyshohet se arsyeja e vrasjes është borxhi që ka pasur i ndjeri ndaj një personi.
PRILEP, BURRI VRET BASHKËJETUESENE NË SY TË FËMIJËS
Poashtu një vrasje makabre ka ndodhur mbrëm edhe në lagjen “Trizla” në Prilep pas një zënke mes një çifti që po bashkëjetonin, me ç’rast burri 36-vjeçar ka vrarë bashkëjetuesen 33-vjeçare.
I dyshuari i moshës 36-vjeçare e ka goditur viktimën disa herë me thikë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Ngjarja ka ndodhur në prani të fëmijës së dhjetëvjeçar të viktimës.
Rastin e ka konfirmuar policia dhe prokuroria e Prilepit.
“Prokurori publik kompetent nga Prokuroria Themelore Publike në Prilep ka bërë inspektim në vendin e ngjarjes së bashku me një ekip inspektimi nga Ministria e Brendshme. I dyshuari nuk është larguar nga vendi i ngjarjes dhe është arrestuar menjëherë nga policisë”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë Themelore.
VMRO-DPMNE, MINISTRI SPASOVSKI TË DORËHIQET
Këto incidente kanë qenë shkas të VMRO-DPMNE të kërkojë dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, të cilin e akuzoi për shënrrim të MPB-së në institucion statistikor ku vetëm se numërohen vrasjet, grabitjet dhe zjarret e dyshimta.
“Për sa kohë që ai është në krye të MPB-së kriminelët do të ndihen të inkurajuar dhe të mbrojtur. Fundjavat e përgjakura janë si rezultat i paaftësisë së Oliver Spasovskit dhe kjo duhet të ndalet .Oliver Spasovski duhet të shkojë që të vijë rendi dhe qetësia për qytetarët tanë” – tha Orce Gjorgjievski nga VMRO-DPMNE.
Sipas VMRO-së shumë vepra kriminale kanë mbetur të pa zgjidhura ndërsa vrasësit vazhdojnë të janë të lirë dhe nuk kapen nga policia. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)
