PRISHTINË

Në Prishtinë fillon Seminari ndërkombëtar i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës shqiptare

18.08.2014 12:09

Në Prishtinë, sot fillon edicioni i 33-të i Seminarit ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën shqiptare, i cili do të do të përfundojë më 30 gusht......

Drejtori i Seminarit, Bardh Rugova, ka thënë për KosovaPress se sivjet përveç që do të shënohet 40 vjetori i këtij seminari të rejat tjera mund të dalin vetëm nga kumtesat që do të prezantohen, gjë që ndodh çdo herë, derisa i gjithë planifikimi është pothuajse i ngjashëm me vitet tjera.

Temat e seminarit, sipas Rugovës janë "Gjuha shqipe dhe ideologjia", "Letërsia shqipe dhe kodet e mëdha", "200 vjetori i lindjes së Jeronim De Radës", etj.

Ndërkohë, edhe sivjet do të marrin pjesë rreth 100 seminaristë pasi kaq ka kapacitet edhe seminari.

Kurse, të gjithë pjesëmarrësit do të akomodohen në konviktet e Qendrës së Studentëve në Prishtinë.

Blerta Ismaili, sekretare profesionale e Seminarit, për Radion Evropa e Lirë, tha se 80 pjesëmarrës tashmë kanë arritur në Prishtinë, të cilët vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Franca, Hungaria, Italia, Bullgaria, Polonia, ndërkaq sivjet një pjesëmarrës është edhe nga Australia.

"Ky numër rritet në fund të seminarit kur fillon sesioni shkencor, pasi atëherë vijnë pjesëmarrës nga Tirana, por edhe profesor arbëresh", shpjegoi Ismaili.