TVM 2 gjatë festave, program të larmishëm festiv gjatë gjithë javës

31.12.2018 16:53

Për të gjithë ata që kanë vendosur që Vitin e Ri ta kalojnë në atmosferën familjare....

Për të gjithë ata që kanë vendosur që Vitin e Ri ta kalojnë në atmosferën familjare, si çdo vit, edhe sivjet do të përkujdeset Servisi Publik, që ofron një program të larmishëm festiv për ta bërë më të këndshëm ndërrimin e  viteve.

Fillojmë si zakonisht me fëmijët menjëherë pas Ditarit qendror, ku më të vegjlit do të shënojnë me këngët e tyre të preferuara fillimin e maratonës festive në ekranin e TVM 2.

Padyshim, festës së ndërrimit të viteve nuk ka si t’i mungojë edhe humori, e për këtë pjesë sivjet kujdeset mister X me ekipin e tij të aktorëve që do të sjellin buzëqeshje në shtëpitë tuaja. Shumë muzikë ofrojmë sonte në një program maratonë për të gjitha shijet e për të gjitha moshat, për të sjellë tek ju atmosferë festive e për t’jua bërë më të bukur qëndrimin tuaj në shtëpi.

Krahas gjithë emisioneve që TVM 2 ka prodhuar për ju, në ekran nuk do të mungojnë as filmat festivë për ta bërë të paharruar festën e ndërrimit të viteve. Por, sivjet TVM 2 nuk mbetet vetëm me filmat më të mirë të prodhuara nga produksionet më të njohura.

Që nga 1 janari, e më pas në 30 javë në vazhdim, TVM 2 fillon ciklin e ri të përrallave popullore, një koproduksion që shpresojmë t’ju mbajë të ngujuar para ekraneve në çdo episod të tij.

Gjatë janarit “Teatri në Ekran”, do të sjellë për ju shfaqet më të reja të teatrove profesioniste shqiptare në Maqedoni me 4 premiera çdo fundjavë. Dhe padyshim që nuk ka se si të mungojë në ekranin tonë edhe koncerti festiv i Filarmonisë së Vjenës, që vjen si një kartolinë festive mëngjesin e 1 janarit.

Edhe në 2019, ekrani i TVM2 do të vazhdojë të jetë ekrani i eventeve të mëdha, duke përmbushur mision e Servisit Publik, për gjithëpërfshirje në programacion të të gjitha moshave të shikuesve tanë.

Por, këtë vit ju premtojmë shumë ndryshime, që do të nisin së shpejti me programacionin 24 orësh në gjuhën shqipe, i cili padyshim do të përcillet me një skemë të re programore, me më shumë produksione për ju, por edhe me vazhdimin e emisioneve tashmë të brenduara. 

TVM 2 nga zemra ju uron një vit të mbarë! (Zekirija Mexhiti, TVM2)