IRAK

Kurdët marrin kontrollin në Digën e Mosulit

18.08.2014 13:06

Ndoshta është herët që luftëtarët kurdë të njohur si Peshmerga, të festojnë, por pas këtij liqeni, ata kanë korrur fitoren e parë, kanë marrë pjesën veriore të Digës, të pushtuar nga ekstremistët ISIS.....

Të ndihmuar nga avionët amerikanë, duzina raketash janë lëshuar në pozicionet e ekstremistëve, kurdët përfunduan punën nga toka dhe kjo nuk ishte punë e lehtë.

“Ata lëvizin si guerilë, prej këtij pozicioni në një tjetër dhe kthehen prapë”- deklaroi gjenerali i ushtrisë kurde, Najat Ali.

Vetëm një javë më parë, ky qytet ishte braktisur nga banorët e tij dhe ishte plot me militantë ISIS. Tani ish-refugjatët janë kthyer në shtëpi. Shabab Ahmad, braktisi shtëpinë bashkë me familjen e tij kur ISIS pushtoi qytetin.

“Jam i lumtur që u ktheva sërish në shtëpi. Por, nuk ka ujë dhe një pjesë e qytetit nuk ka as energji elektrike”- theksoi Shabab Ahmad.

Por, megjithëse ISIS tani për tani është larguar nga qyteti, të gjithë e dinë që ekstremistët nuk janë larg.

Ndihmuar edhe nga trazirat politike në Irak dhe dështimi i palëve për t’u bashkuar në një front kundër ekstremistëve, ISIS vuri nën kontroll mijëra kilometra katrorë në Irakun e veriut dhe atë të perëndimit. Diga e Mosulit, konsiderohej si një pikë strategjike për kontrollin e zonave veriore të Irakut dhe ishte marrë nën kontroll nga ISIS më 7 gusht.

Shtetet e Bashkuara, shkatërruan me sulme ajrore një karvan me 19 automjete të ISIS-it, si dhe një postbllok që kontrollonte njërën nga rrugët hyrëse për në Digë. (Migena Gorenca, TVM2)