Viti i Ri 2019, atmosferë festive në Tiranë dhe Prishtinë

01.01.2019 16:05

Atmosferë festive mbretëroi në sheshin Skënderbeu në Tiranë dhe Zahir Pajaziti në Prishtinë...

Atmosferë festive mbretëroi në sheshin Skënderbeu në Tiranë dhe Zahir Pajaziti në Prishtinë, ku performuan emra të njohur të estradës muzikore shqiptare, ndërsa ndërrimin e motmoteve e shënuan spektakle fishekzjarrësh, transmeton “TVM2”. 

FOSHNJA E PARË DJALË NË TIRANË, VAJZË NË PRISHTINË

Në Shqipëri fëmija i parë i lindur në vitin 2019 është i gjinisë mashkullore dhe ka lindur në Tiranë. Kryeministri, Edi Rama, me këtë rast ka shpërndarë çeqet për tre foshnjat e para të lindura këtë vit, edhe atë 120 mijë lek për fëmijën e parë, Aleksin, dhe nga 80 mijë lek për fëmijën e dytë dhe 40 mijë për fëmijën e tretë.

“Gëzuar dhe me këmbë të mbarë! Ky është Aleksi? Ky është i ati? Urime! Aleksi është i treti, ka ardhur me xhepat plot 120 mijë lek të reja. Kjo tani është certifikata e lindjes, që nga sot merret direkt në maternitet dhe nuk ka më nevojë të shkohet në gjendjen civile”,- tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Në Kosovë fëmija i parë i vitit 2019 është vajzë, ndërsa nëna më e re është Miranda Bajrami.

“Lindja e parë pas mesnatës ka qenë në 00:36 minuta, me lindje operative. Pacientja është  Miranda Bajrami, e lindur në vitin 2000 nga Fushë - Kosova. Foshnja është e gjinisë femër”,- theksoi Naser Berisha nga Klinika e Gjinekologjisë – Prishtinë.

NUK MUNGUAN EDHE NGJARJET TRAGJIKE

Përpos lajmeve të mira nga Kosova dhe Shqipëria, ka pasur edhe njoftime për ngjarje tragjike dhe të lënduar nga fishekzjarrët. Një grua e moshës mbi 50 vjeçare në Gjilan ka humbur jetën, pasi është qëlluar aksidentalisht nga bashkëshorti me armë zjarri.

Në rrugën Podujevë – Prishtinë, një person ka humbur jetën, tre të tjerë kanë pësuar lëndime të rënda.

Derisa Klinika Emergjente në Prishtinë ka trajtuar gjithsej 65 raste. Ndërsa në Fier të Shqipërisë, Viti i Ri ka nisur me një konflikt me armë zjarri. Një 30-vjeçar është plagosur në këmbë pas një sherri në një lokal.(Vlora Latifi – Topojani, TVM2)