Viti i Ri 2019, spektakël fishekzjarrësh në shumë qytete të botës
Me spektakël fishekzjarrësh dhe një atmosferë të bukur, qytetarët në Maqedoni pritën Vitin e Ri 2019....

Me spektakël fishekzjarrësh dhe një atmosferë të bukur, qytetarët në Maqedoni pritën Vitin e Ri 2019, transmeton “TVM2”.
Shëndet, paqe, begati janë urimet e qytetarëve që përcollën mes vete në momentet e ndërrimit të motmoteve. Dikush nëpër hotele dhe restorante, dikush tjetër nëpër lokale dhe disko, e të shumtë ishin ata që kishin vendosur të festojnë në sheshin kryesor të Shkupit. Për t’i argëtuar të pranishmit të shesh u përkujdesën grupi kosovar “Offcestra” dhe rock grupi i njohur kroat “Parni Valjak”.
Organizimi në Shkup, sipas qytetarëve, këtë vit është më i mirë dhe më interesant. Në Shkup për të pritur 2019-n nuk munguan as turistët.
Atmosferë e zjarrtë e përcjellë me fishekzjarrë kishte pothuajse në mbarë botën. Aucklandi në Zelandë të Re ishte qyteti i parë i madh që lansoi fishekzjarrët, por kjo ishte vetëm fillimi. Atmosferë festive por me masa të shtuara të sigurisë kishte në Francë dhe Gjermani. Në New York, si tradicionalisht, u festua me lëshimin e topit të madh në Times Square, fishekzjarrë spektakularë u hodhën në Londër, e në Dubai viti i ri u prit me një show special me laser.
Por, krahas festës, nuk munguan dhe fatkeqësitë. Dy persona kanë vdekur në Holandë në aksidente nga përdorimi i fishekzjarrëve gjatë natës së Vitit të Ri. Në provincën e Milanos, një i ri ndodhet në gjendje të rëndë pas humbjeve të duarve dhe plagosjes në kokë, ndërsa në Napoli, sipas bilancit të policisë, të plagosur janë regjistruar rreth 37 persona. (Ersan Pajaziti, TVM2)
