MPB

MPB: Masa të rrepta ligjore për të ndaluar vullnetarët drejt Sirisë

18.08.2014 15:40

Me ndryshimin e Kodit Penal dhe me përcaktimin e masave më të rrepta ligjore, mund të parandalohet dukuria e vullnetarëve nga Maqedonia të cilët shkojnë për të luftuar në Siri, vlerëson ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska.....

Ajo thotë se korniza ligjore e Maqedonisë ka hapësirë të përforcohet dhe në Kodin Penal të futet edhe një vepër penale e re, për sa i përket pjesëmarrjes së vullnetarëve në luftë jashtë vendit, vlerëson Jankullovska.

“Mendimi im personal është se ka hapësirë për përforcim shtesë të rregullave ekzistuese,  gjegjësisht përcaktimi i  një vepre penale të re ose përpunim i  veprës penale ekzistuese, ku do të përcaktohen sanksionet për të gjithë personat që do të konstatohen se kanë marrë pjesë në këto aktivitete. Besoj se propozime të tilla pas një analize të mirëfilltë të ngjarjeve në Maqedoni, eksperiencave komparative, mund të implementohet në kornizën ligjore të Maqedonisë”- deklaroi ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska.

Deri në këto momente nuk ka informata zyrtare se sa shtetas të Maqedonisë i janë bashkangjitur luftës në Siri, por jozyrtarisht flitet për të paktën 4 shtetas të cilët kanë rënë viktima në konfliktin në Siri.

Sipas vlerësimeve jozyrtare, numri i vullnetarëve nga Bosnja, Kosova, Shqipëria Maqedonia, Serbia, Kroacia dhe Bullgaria është rreth 600.

Ligjet e Maqedonisë aktualisht nuk parashikojnë sanksione për pjesëmarrësit në luftërat e huaja, ndonëse me ndryshimet e propozuara të Kodit Penal janë parashikuar dënime për rekrutimin e ushtarëve në ushtritë e huaja në kohëzgjatje prej 1 deri në 5 vjet burg.

Një Ligj i këtillë është paralajmëruar të miratohet edhe në Kosovë, ku së fundmi janë arrestuar rreth 45 persona, nën dyshimin për përfshirje në konfliktin në Siri dhe Irak. (Rexhep Qamili, TVM2)