SHLYERJA E BORXHEVE

Filloi aplikimi për shlyerjen e borxheve

18.08.2014 16:07

Në Qendrat Sociale të vendit, prej sot ka filluar dorëzimi i kërkesave për shlyerjen e borxheve të kategorive më të rrezikuara të qytetarëve.....

Amdi Shabani nga Qendra për Punë Sociale në Çair, bën të ditur se vetëm në orët e paradites kanë aplikuar deri në 300 persona. Shfrytëzuesit e ndihmës sociale, shfrytëzuesit e ndihmës së përhershme financiare, rastet kur borxhi ka ndodhur për shkak të vdekjes së njërit nga bashkëshortët dhe ata qytetarë që sigurojnë të ardhura vjetore jo më shumë se 100 e 5 mijë denarë.

“Për shlyerjen e borxheve, mund të aplikojnë shfrytëzuesit e aktit të ndihmës sociale, individët të cilët mbi 12 muaj paraqiten në Entin për Punësim dhe aktivisht kërkojnë punë, nëse borxhi ka ndodhur me rastin e vdekjes së partnerit, burrit ose gruas dhe limiti është 100 e 5 mijë denarë për ata që nuk i kalojnë të ardhurat vjetore, për ata që punojnë me rroga të vogla”- deklaroi Amdi Shabani nga Qendra për Punë Sociale në Çair.

Po ashtu, Shabani sqaron se aplikuesit duhet të kenë me vete një kopje të letërnjoftimit për vete dhe partnerin bashkëshortorë, fletë kurorëzimin dhe faturën e fundit të rrymës, ndërsa në Qendrat Sociale do të marrin formularët e nevojshëm që duhet plotësuar.

Qytetarët e kanë mirëpritur këtë vendim, pasi në të shumtën e rasteve borxhet e tyre tejkalojnë njëmijë euron.

“Unë kam borxh, si me than pi EVN-së afër një mijë e dy-treqind euro. Kam te “Komerciallna Banka” afër dy-treqind euro. Kamata më ka hipë prej tremijë e 600 denarësh në 250 euro. S’kam pasur mundësi me pagu kurrqysh, se kam punu 20 vite në ndërtimtari, na kanë përzënë pa një denarë dhe qashtu kam mbet me ndihmë sociale, me 2700 denarë nuk kam mundësi me jetu”- u shpreh një qytetarë.

“Kjo është punë e mirë. Jam ngatërruar me kredi në Bankë, për atë borxh jam këtu, rrymën e kam paguar. Të shohim si do të funksionojë, pasi  tani për tani kartelat i kemi të bllokuara”- tha një qytetarë.

“Po kemi me pagu rrymën, ujin, banesat që i kemi shtu, çato. Borxh kam, kam përafërsisht 1500 euro”- theksoi një qytetarë. 

Në thirrjen e publikuar nga Ministria e Financave për shlyerjen e borxheve, thuhet se kërkesat qytetarët do të mund t’i dorëzojnë në Qendrat për Punë Sociale në afat prej 30 ditësh, ndërsa për pranim të kërkesës do të vendos Komision i posaçëm. (Gyltene Sinani, TVM2)

Foto: mia.mk