Asnjë pakt për “murin”, vazhdon mosfunksionimi i qeverisë amerikane
Mbyllja e pjesshme e qeverisë amerikane për shkak të financimit të kërkuar nga presidenti Trump për murin në kufirin me Meksikën...

Mbyllja e pjesshme e qeverisë amerikane për shkak të financimit të kërkuar nga presidenti Trump për murin në kufirin me Meksikën, ka hyrë në ditën e 13 të saj.
Krerët demokratë dhe republikanë dështuan të kapërcenin ngërçin, pasi zyrtarët e administratës Trump nuk hoqën dorë nga kërkesa për ndërtimin e murit me Meksikën.
Demokratët ruajnë pozicionin e tyre, ndërsa presidenti Trump ka bërë të qartë se ai nuk do të heqë dorë nga kërkesa për financimin e projektit 5 miliardë dollarësh.
Ngërçi ka bërë që me qindra e mijëra punonjës federalë të vazhdojnë të punojnë pa pagë apo me pushime të detyruara dhe të papaguara në shtëpi.
Rreth një e katërta e qeverisë federale nuk ka fonde, gjë që prek 9 departamente dhe rreth 800 mijë punonjës. Edhe sistemi i gjykatave është prekur po ashtu.
Në Uashington, rreth 20 muzeume kanë mbyllur dyert, e të njëjtën gjë ka bërë edhe Kopshti Zoologjik i qytetit, pavarësisht se kujdesi për kafshët vazhdon.
Shërbimet kanë qenë të reduktuara. Mbeturinat janë mbledhur në pirgje dhe zonat e kampingut janë mbyllur për shkak të mungesës së shërbimeve të pastrimit.
