Ekonomia për vitin 2018, Zaev: Në 2019 do të ndjehet edhe më shumë rimëkëmbja

03.01.2019 17:05

2018-ta ishte vit ku ekonomia filloi të rimëkëmbet, vlerësojnë hartuesit e politikave ekonomike të shtetit....

2018-ta ishte vit ku ekonomia filloi të rimëkëmbet, vlerësojnë hartuesit e politikave ekonomike të shtetit. Miratimi i masave për mbështetje të kompanive, reformat në sistemin social, reformat në sistemin tatimor janë punë të mëdha që janë bërë në planin ekonomik gjatë vitit 2018, vlerëson kryeministri, Zoran Zaev, transmeton “TVM2”.

Rezultati i këtyre punëve, sipas kryeministrit, do të ndjehet edhe më shumë gjatë vitit 2019-s.

“Politika fiskale e Qeverisë së Maqedonisë për vitin 2019 është në funksion të sigurojë rritje të ekonomisë së Maqedonisë, të sigurisë sociale dhe përshpejtim të integrimeve euroatlantike. Në vitin 2019 do të vazhdojë rritja e rrogave dhe i punësimeve në sektorin privat, i mbështetur me masa qeveritare. I kthejmë paratë te qytetarët. Tarifa e lirë e energjisë elektrike siguroi 11.4 milion euro plus për qytetarët, heqja e taksës radio-difuzive siguroi 15 milion euro plus për qytetarët. Rroga minimale siguroi para plus për qytetarët...”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.

TEVDOVSKI: U REALIZUAN PROJEKSIONET BUXHETORE

Gjatë vitit 2018 pagat u rritën për 5.7%, kurse papunësia është ulur në 20.4%, informon ministri i financave, Dragan Tevdovski. Sipas tij, janë realizuar projeksionet buxhetore, ashtu siç është paraparë.

“Të hyrat buxhetore kanë rritje prej 4.9%, edhe atë në lidhje me realizimet e projeksioneve ka realizim prej 98% të të hyrave të përgjithshme, përkatësisht 100.1% nga tatimet dhe kontributet. Kjo do të thotë se është identike me projeksionet. Shpenzimet buxhetore kanë pasur rritje për 1.8%, në krahasim me vitin 2017. Është realizuar deficiti buxhetor i RM-së për 1.8% nga PBV, që është ulje e dukshme në krahasim me vitet tjera kur deficiti buxhetor ishte rreth 3%”,- theksoi ministri i financave, Dragan Tevdovski.

Ndërtimi i rrugës Shkup - Bllacë mbetet prioritet kryesor që duhet realizuar në aspektin e investimeve kapitale, tha kryeministri Zaev.

“Presim që tenderi të publikohet deri në fund të janarit për fazën e parë të projektit që përfshin 1.9 km, ku projekt-dokumentacioni është zgjedhur. Kemi vendosur të shkojmë në ndërtim në dy faza, që të kursejmë kohë dhe të kemi aktivitet ekonomik menjëherë. Për pjesën tjetër prej 10. 4 km dëshirojmë që deri në maj - qershor të përgatitet i gjithë dokumentacioni i nevojshëm, që të mundet të shpallet edhe tenderi”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.

Sa i përket reformave tatimore, Zaev dhe Tevdovski thanë se tatimi progresiv është simbolik dhe përfshin 1% të qytetarëve, të cilët realizojnë të ardhura më të mëdha se 90.000 denarë në muaj. (Ersan Pajaziti, TVM2)