Botë
Ende mister, ku shkuan 7 miliardët e Bankës Shqiptare?
18.08.2014 17:24
Edhe pse Bankës së Shqipërisë i mungojnë afro 7 miliard lekë, destinacioni i tyre ende nuk dihet...

Asnjëri prej të arrestuarve për këtë ngjarje, nuk ka depozita në asnjërën prej bankave të nivelit të dytë në Shqipëri. Sipas burimeve nga Prokuroria, në këto Banka, të dyshuarit kanë vetëm llogarinë rrjedhëse të pagave të tyre.
Po i njëjti burim sqaroi se aktualisht hetimi pasuror për të arrestuarit është ende i hapur, pasi për të përmbyllur fazën paraprake të hetimit duhen edhe përgjigjet e Zyrës së Aluiznit, Hipotekave, si dhe të Drejtorisë së Pastrimit të Parave.
E teksa të arrestuar për skandalin e parave në Bankë në pranga janë 10 persona, mes tyre 9 nga stafi i Bankës dhe nipi i Ardian Bitrajt, Prokuroria sqaron se janë hetimet ato që do të zbardhin përgjegjësinë e ish-punonjësve të Bankës.
Por, pas prangosjes së këtyre shtetasve, të cilët aktualisht ndodhen në paraburgimet 302 dhe 313 në kryeqytet, ende nuk ka asnjë gjurmë se ku mund të jenë shpenzuar paratë e vjedhura, ku sipas pistave zyrtare të Prokurorisë, nuk përjashtohet as mundësia se paratë mund të jenë kaluar jashtë Shqipërisë.
Ndërkohë, opozita dhe shoqëria civile kërkojnë shkarkimin e guvernatorit, Ardian Fullani, si përgjegjës për këtë skandal. Por, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës refuzoi ta shkarkonte.
Ndërkohë, kreu i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Erjon Braçe, ka kërkuar ndryshim të Ligjit për Bankën e Shqipërisë, si dhe hetime të rrepta për këtë ngjarje.
LULJETA NDOKA
