Moti në Europë, acar në lindje, diell në perëndim
Europa është ngërthyer nga i ftohti i acartë në pjesën lindore dhe qendrore të saj...

Meteorologët flasin për kontraste të mëdha moti nëpër Europë ditët e ardhshme, me një zonë të konsiderueshme presioni të lartë që reziston në Perëndim.
Ata parashikojnë qiej të pastër në këtë zonë, ndërsa më në lindje historia ndryshon.
Shërbimi i motit i BBC-së ka paralajmëruar se, Europa Qendrore në mënyrë të veçantë do të përballet me reshje të mëdha shiu, ndërsa Britania e Madhe do të qëndrojë e thatë, por me temperatura të ulëta deri në -10 gradë Celsius gjatë fundjavës.
Sipas BBC-së, era e fortë do të fryjë nga veriu, përmes Finlandës drejt Austrisë, por edhe më tej drejt Ballkanit.
Reshjet e borës që kanë nisur që prej të enjtes, në Greqi kanë mbuluar territore të gjera të vendit, madje edhe zonat bregdetare, ndërkohë që edhe Italia ka regjistruar reshje të konsiderueshme bore.
Meteorologët thonë se reshjet e borës do të vazhdojnë në këto rajone të Europës Lindore gjatë së premtes, por edhe gjatë fundjavës.
Mot i thatë dhe me diell, ndërkohë, sipas tyre do të mbizotërojë në Spanjë dhe Portugali.
