ELEM dhe BERZh nënshkruajnë marrëveshje, do të ndërtohet Elektrana Fotovoltaike Osllomej
Me kredi prej 5.9 milion eurosh të siguruara nga Banka Evropiane për Ripërtëritje dhe Zhvillim...

Me kredi prej 5.9 milion eurosh të siguruara nga Banka Evropiane për Ripërtëritje dhe Zhvillim, kompania ELEM do të ndërtojë qendrën fotovoltaike në Centralin Termo Elektrik Osllomej, transmeton “TVM2”.
Marrëveshjen e nënshkruan drejtori i ELEM-it dhe përfaqësuesi i BERZh. Në ndërtimin e elektranës fotovoltaike do të kyçen 1000 të punësuarit e tanishëm në Osllomej, por paraprakisht do të trajnohen.
“Gjithsej 5.9 milion janë para të cilat sigurohen nga kredia prej BERZh-it, pjesën tjetër e siguron ELEM-i. Elektrana gjithsej do të prodhojë 15 gigavat në orë, të mjaftueshme për shpenzim vjetor të 2000 amvisërive. Projekti është i rëndësishëm jo vetëm për shkaqe energjetike, por edhe në aspekt social dhe ekologjik. Do të ndërtohet në sipërfaqe prej 15 hektarë në lokacionin në Osllomej”,- tha drejtori i ELEM-it, Dragan Minovski.
“Kjo marrëveshje është një nga më të rëndësishmet, për shkak se e tregon rrugën drejt ardhmërisë së vendit dhe rajonit. Përpara thoshim se ju keni mundësinë të keni energji të pastër dhe të keni energji të lirë. Kjo nuk ndodh më, sektori i energjisë po ndryshon, energjia diellore dhe e erës ndryshon çdo ditë dhe me një treg të organizuar mirë mund të keni energji të pastër dhe të lirë”,- u shpreh Hari Bojd Karpenter nga BERZh.
Ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, tha se ky është investim i rëndësishëm kapital, me të cilin po plotësohen detyrimet që i ka Maqedonia ndaj Komitetit Energjetik, sa i përket sferës së energjetikës.
“Një investim i cili do të ndihmojë rritjen e kapacitetit të prodhimit të kësaj centrale por njëkohësisht do të zvogëlojë edhe varshmërinë e Republikës së Maqedonisë sa i përket importit të energjisë elektrike”,- theksoi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Përfaqësuesit e qeverisë njëherit paralajmëruan se gjatë vitit do të nënshkruhen edhe tenderë të tjerë për ndërtimin e centraleve fotovoltanike. (Ersan Pajaziti, TVM2)
