Ligji i ri për tregjet e gjelbra, VMRO: Pushteti po e godet kategorinë më të ndershme

04.01.2019 17:29

Ligji i ri për tregjet e gjelbra, që obligon shitësit të pajisen me licenca....

Ligji i ri për tregjet e gjelbra, që obligon shitësit të pajisen me licenca, po kundërshtohet nga opozitarja VMRO-DPMNE, njofton “TVM2”.

Zëdhënësi i kësaj partie, Naum Stoilkovski, drejtoi akuza ndaj Qeverisë, duke vlerësuar se me këtë masë u ndalohet puna së paku 20 mijë personave, derisa godet kategorinë më të ndershme që mbush buxhetin e shtetit.

“Qeveria goditi në njërën nga kategoritë më të ndershme, por dhe më të rënda, duke vënë masë për t’i larguar pensionistët, honorarët dhe ata të cilët janë të punësuar në tregjet e gjelbra, vuri në fuqi  licenca  të larta për tezga edhe atë një person një tezgë, ndërsa me këtë ajo ua ndalon me ligj punën e 1/3 të pazarxhinjve nëpër tregjet e gjelbra. Kjo qeveri edhe njëherë tregoi neglizhencën e saj për popullin, për ata të cilët mezi ia dalin të mbijetojnë”,- u shpreh zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoilkovski.

BEKTESHI: LIGJI NJË KËRKESË E KAMOTSHME

Por, ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, për TVM2 thotë se Ligji i ri për tregjet është në dobi të vetë shitësve, ndërsa shton se pas shumë vitesh tanimë tregtarët do të jenë me status të rregulluar.

“Kjo është kërkesë e tregtarëve në tregjet e gjelbra, një kërkesë e kamotshme që rregullon kushtet dhe obligimit që dalin nga tregjet e gjelbra. Unë si ministër kam thirrur që të krijojmë një grup pune ku do të shohim mundësitë e ndryshimit dhe plotësimit të këtij ligji”,- u shpreh ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Ligji për tregjet e gjelbra që pritet të fillojë të implementohet nga java e ardhshme, i obligon shitësit të paguajnë 60 euro për çdo licencë. Ligji përmban 48 nene, ndërsa me këtë shitësit bëhen me status të rregulluar, kështu duke përfituar sigurim shëndetësor dhe pensional. (Zekirja Mexhiti, TVM2)