Botë
Ndryshimet në qeverinë e Shqipërisë, Rama dërgon emrat në presidencë
05.01.2019 16:57
Kryeministri Edi Rama ia dorëzoi personalisht Ilir Metës 17 kërkesat për ndryshime në qeveri pasditen e së premtes.....

Pas një takimi të shkurtër mes kryeministrit dhe presidentit, në tryezën e këtij të fundit ngelën 8 kërkesa për lirim ministrash dhe të zëvendëskryeministres dhe 8 të tjera për pasuesit e tyre, si dhe një kërkesë e 9-të për të rikthyer ministrinë për marrëdhëniet me parlamentin.
Mënjëherë me nisjen e ditës së re, Presidenti Meta firmosi lirimin e të gjithë ministrave të propozuar nga Rama, me përjashtim të Ditmir Bushatit. Po gjatë paradites së sotme, presidenti ka firmosur dekretet e emërimit vetëm për 4 propozimet e Edi Ramës. Të katërt janë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë ndaj Ilir Meta ka firmosur emërimin e zëvendëskryeministrit të ri Erjon Brace, ministrit për mbrojtjen e sipërmarrjes Eduard Shalsi, Ministri i Bujqësisë, Bledi Cuci dhe të ministres së Marrëdhënies me Parlamentin, Elisa Spiropali.
Janë ende pa i firmosur 5 dekrete emërimi, që janë emra të rinj që nuk janë pjesë e parlamentit. Parlamenti pritet t’i votojë dekretet e Metës në seancën e parë të celjes së sesionit në 21 janar. Ndryshimet në qeveri kryeministri Edi Rama i njoftoi në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste në datë 28 dhjetor. Praktikisht kreu i qeverisë largoi të gjitha ministrat që kishin 5 vite në detyrë. Të vetmit ministra që "shpëtuan" janë Sandër Lleshaj, i emëruar ministër i Brendshëm dy muaj më parë, Pandeli Majko, Olta Xhaçka, Etilda Gjonaj, Blendi Klosi dhe Ogerta Manastirliu.
LULJETA NDOKA
