Botë

Vazhdon mbyllja e qeverisë në ShBA

07.01.2019 12:18

As më 6 janar nuk është arritur ndonjë pikë kyçe në Uashington, teksa negociatorët kongresionalë dhe zyrtarët e administratës...

As më 6 janar nuk është arritur ndonjë pikë kyçe në Uashington, teksa negociatorët kongresionalë dhe zyrtarët e administratës kanë bërë përpjekje për të arritur ndonjë marrëveshje, ashtu që t’i japin fund mbylljes së Qeverisë amerikane.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka vazhduar të kërkojë 5.6 miliardë dollarë për murin që do të ndante Shtetet e Bashkuara me Meksikën.

Presidenti amerikan e ka arsyetuar këtë projekt si ndalesë për imigrimin ilegal dhe trafikimin e drogës. Demokratët, që kanë fituar Dhomën e Përfaqësuesve, kundërshtojnë ashpër ndërtimin e murit, duke thënë se është metodë e pa-moralshme për t’u përballur me imigrimin dhe çështjet e drogës.

Derisa mbyllja e Qeverisë ka hyrë në javën e tretë, udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nensi Pelosi, ka thënë se ajo synon të miratojë projekt-ligje individuale për të hapur disa agjenci, duke nisur nga Departamenti i Thesarit.

Mirëpo, pavarësisht miratimit të projektligjeve nga demokratët, ato patjetër duhet të miratohen edhe nga Senati i kontrolluar prej republikanëve.

Meqë pakënaqësitë për murin janë shpërfaqur edhe në mesin e disa republikanëve, Trump ka thënë se shpreson në zhvillimin e “bisedimeve serioze” më 7, 8 dhe 9 janar, ndonëse ka treguar se nuk do të heqë dorë nga fondet për murin.