Botë

Kinë, mijëra vizitorë në festivalin e akullit në Harbin

07.01.2019 14:13

Në qytetin verilindor Harbin të Kinës vazhdon spektakli i akullit dhe dëborës, aktiviteti më i madh i tillë në botë me godina, statuja dhe kështjella prej akulli.....

64 skulptorë vijnë nga 12 vende të ndryshme duke sfiduar temperaturat e ulëta, për të qenë pjesë e këtij konkursi vjetor që zhvillohet që prej vitit 1983. Aktiviteti është kthyer në një spektakël pamor me skulptura dhe bukuri mahnitëse,  në një qytet të tërë të mbuluar nga dëbora dhe akulli.
 
Këtë vit festivali mbahet për të 33-in vit radhazi. Një sipërfaqe prej 360 000 metrash katrorë është mbuluar me rreth 180 000 metra kub akull. Në përgatitjen e objekteve që ekspozohen në qytetin e akullt,  janë përdorur teknologjitë e reja të ndriçimit me lazer bashkë me  teknikat e vjetra të gdhendjes së akullit.
 
Qyteti i akullt do t’i presë vizitorët deri më 5 shkurt. Harbin është një nga qytetet më të ftohta të Kinës, ku temperaturat bien deri në -35 gradë celsius, një mundësi e përkryer kjo që skulpturat e akullit të zgjasin gjatë.