Moti në Europë, alarm për ortekë në alpet bavareze

08.01.2019 10:15

Reshjet e dëborës që kanë përfshirë Bavarinë dhe vdekja e 7 skiatorëve të dielën në alpet bavareze....

Reshjet e dëborës që kanë përfshirë Bavarinë dhe vdekja e 7 skiatorëve të dielën në alpet bavareze, kanë detyruar autoritetet të ngrenë  paralajmërimin e ortekëve në nivelin më të lartë.

Qyteza e vogël Shën Johann është evakuuar. Meteorologët presin që në rajonin e prekur tashmë nga e reshjet e mëdha, të bjerë edhe një shtresë tjetër bore. Mbi dy metra borë besohet se ka rënë në zonat e Alpeve në Austri, ditët e shkuara.

Mijëra turistë kanë mbetur të bllokuar për shkak të rrugëve të mbyllura, ndërkohë që stuhitë kanë mbërthyer Europën, përfshirë Greqinë dhe Gjermaninë. Rreth 120 fluturime janë anuluar në Aeroportin e Mynihut.

Në Greqi, një 66-vjeçare u gjet e vdekur, pasi një makinë u përfshi në një aksident në mes të stuhisë së borës.

Temperaturat në Greqinë qendrore dhe veriore kanë rënë nën zero që prej një jave, e autoritetet janë në gatishmëri për shkak të valës së radhës së të ftohtit, që do të godasë vendin gjatë ditës.

Në Rusi temperaturat janë ulur në minus 30 gradë.  Britania e Madhe është përfshirë nga një masë ajri polar. Bora ka përfshirë pjesën më të madhe të veriut të vendit, e temperaturat janë në minus 10 gradë celsius në disa pjesë të vendit.