Botë

Gjermani, arrestohet e më pas lirohet “Hacker”-i i politikanëve

08.01.2019 14:31

Policia e arrestoi dhe pastaj e la të lirë personin e dyshuar për vjedhjen dhe publikimin e të dhënave personale...

Policia e arrestoi dhe pastaj e la të lirë personin e dyshuar për vjedhjen dhe publikimin e të dhënave personale të shumë politikanëve dhe personave publikë në Gjermani.

Edhe pse arresti u bë të dielën, autoritetet publikuan këtë fakt vetëm sot. Bëhet fjalë për një 20-vjeçar, i cili e ka pranuar ndërkohë fajin duke u justifikuar me zemërimin e ngjallur nga disa deklarata të politikanëve, gazetarëve apo personave të njohur të jetës publike. Kjo është vjedhja më e madhe e të dhënave personale të politikanëve dhe figurave të njohura në Gjermani.

Nuk dihet arsyeja përse autoritetet kanë vendosur që 20-vjeçari të lirohet. Ai nuk ka pasur bashkëpunëtorë.

Të gjitha veprimet i ka kryer i vetëm dhe sipas “Der Spiegel”, nuk mendohet të ketë as ndonjë lidhje me shërbimet e huaja sekrete. Ditët e fundit janë publikuar të dhëna personale të rreth 1.000 politikanëve, prominentëve, gazetarëve dhe personave të tjerë.

Rreth 50 raste janë vlerësuar si të rënda, sepse bëhet fjalë për vjedhjen dhe keqpërdorimin e një sasie të madhe informacionesh personale.