Botë

Dialogu Kosovë – Serbi, Ahmeti: Takime të shtuara në pjesën e parë të vitit; Marrëdhëniet me Serbinë, Limaj: Jonormale, dialogojmë për t’i normalizuar

08.01.2019 16:31

Një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet në pjesën e parë të këtij viti...

Kështu u ka deklaruar bashkëkryesuesi i delegacionit shtetëror të Kosovës për bisedime, Shpend Ahmeti, pas takimit me përfaqësuesen e lartë për punë të jashtme dhe siguri, Federiak Mogerinin, në Bruksel. Kushti primar për marrëveshje është njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, tha Ahmeti.
 
“Me normalizim nënkuptojmë se nuk do të ketë çështje të hapura përfshi njohjen nga shteti i Serbisë. Mbetet mes dy delegacioneve që të shohim se a mund të arrijmë marrëveshje. Sipas zonjës Mogherini, ideja është që të bëhen takime në një orar më të ngjeshur që në gjysmën e parë të këtij viti për të parë se a mund të arrihet marrëveshje dhe këtu po koordinohet me shtetet anëtare të BE-së, anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit, po ashtu është e qartë se ka pasur koordinim edhe me Uashingtonin edhe me Moskën në këtë drejtim, që të arrihet një marrëveshje”,- tha bashkëkryesuesi i bisedimeve, Shpend Ahmeti.
 
Në takim me Mogerinin është bërë fjalë edhe për taksën 100% që Kosova e aplikon për produktet serbe. Delegacioni i Kosovës ka përsëritur qëndrimin e qeverisë se taksa ishte e domosdoshme për shkak të politikës agresive të Serbisë ndaj Kosovës. 
 
“Në një marrëveshje gjithëpërfshirëse nuk do të ketë më nevojë për taksë. Marrëveshja gjithëpërfshirëse e njohjes së Kosovës nuk ka nevojë më për masa të tilla. Me një fjalë marrëdhëniet Kosovë-Serbi janë jonormale, ne jemi ardhur këtu dhe dialogu është për t’u kthyer në një situatë normale dhe situata normale është njohja reciproke dhe reciprociteti”,- tha bashkëkryesuesi i bisedimeve, Fatmir Limaj.
 
Në takim është theksuar se çdo marrëveshje që është e pranueshme për të dyja palët do të jetë e pranueshme edhe për BE-në, por marrëveshja duhet t’i përfaqësojë vlerat e BE-së. 
 
GYLTENE SINANI