Europa nën “darën” e të ftohtit, shkon në 26 numri i viktimave

09.01.2019 10:04

Europa vazhdon të mbetet në darën e të ftohtit, që ka marrë deri tani jetën e 26 personave.

Një pjesë nga aksidente në kontinentin e vjetër janë shkaktuar nga  moti i keq, por shumica e viktimave  kanë humbur jetën prej ortekëve vdekjeprurës.
 
Në Norvegji përpjekjet për të gjetur trupat e katër skiatorëve u penguan nga dukshmëria e ulët dhe reshjet e dendura të dëborës. Një 29-vjeçare suedeze dhe tre finlandezë të moshave 29, 32 dhe 36 vjeç dyshohet të kenë vdekur nga orteku. 
 
Policia rumune gjeti trupin e ngrirë të një 67-vjeçari në një parking të qytetit jugor të Slatinës, ndërkohë që vendi është mbërthyer nga temperatura deri në – 24 gracë celsius. Një i pastrehë i gjendur i pajetë në jug-lindje të Francës. 
 
Në Holandë, aeroporti i Schipholit u detyrua të anulonte gati 25% të fluturimeve. Anulime raportohen dhe në Sllovaki. 
 
Qindra banorë në Austri janë ngujuar  në shtëpitë e tyre për shkak të bllokimit të rrugëve dhe në disa rajone ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike për shkak të dëmtimit të linjave të tensionit të lartë nga dëbora, shkollat janë mbyllur. 
 
Me dhjetëra refugjatë në veri të Greqisë ndërkohë kanë protestuar ndaj kushteve të vështira të jetesës në kampin e tyre, ndërkohë që vendi është përfshirë nga ngricat.