Sërish viktima nga moti i keq në Europë
Të paktën tre persona humbën jetën dje në alpet austriake dhe në malet sllovake.....

Të paktën tre persona humbën jetën dje në alpet austriake dhe në malet sllovake, ndërkohë që gjashtë nxënës shpëtuan mrekullisht në incidente të veçuara për shkak të ortekëve.
Një adoleshent gjermano-australian, i cili ndodhej për pushime në Austri, vdiq i mbuluar nga një ortek, ndërkohë që prindërit e tij dhe vëllai e shihnin skenën pa mundur ta ndihmonin. Ndërkohë, një skiator 40-vjeçar u mbulua nga orteku në veri të Sllovakisë.
Në resortin austriak të Wildkogelit, gjashtë adoleshentë gjermanë arritën të mbijetonin, në incidente të veçuara, pasi ishin mbuluar nga sasi të mëdha dëbore.
Në të dy anët e kufirit gjermano-austriak, shkollat janë mbyllur, trafiku është në paralizë të plotë, ndërkohë që banorët po ankohen për shembje të mundshme të çative të shtëpive për shkak të peshës së krijuar nga sasia e madhe e dëborës së rënë.
Shërbimi Meteorologjik Gjerman, DWD, parashikon dëborë pa ndërprerje deri javën e ardhshme, sidomos në rajonet malore.
