Botë
Shqipëri, Meta refuzon ministrin nga Kosova
10.01.2019 17:16
Presidenti, Ilir Meta, refuzon të dekretojë ministrin e jashtëm, Genti Cakajn, i cili deri më tani ka kryer funksionin e zëvendësministrit në këtë dikaster....

Zëvendësministri nga Kosova është refuzuar përmes një sërë argumentesh të zbuluara sot nga presidenti, ku spikasin kritikat për qëndrimet e mbajtura nga Cakaj, kryesisht me çështjen e korrigjimit të kufijve. Sipas Metës, Cakaj ka dëshmuar se i mungon përvoja dhe se qëndrimet e tij publike lidhur me çështje thelbësore të politikës rajonale janë të papranueshme.
“Qëndrimet e tij publike në kontekstin e debatit për të ashtuquajturin korrigjim të kufijve të Kosovës e Serbisë, por edhe të Ballkanit Perëndimor, janë në kundërshtim të plotë me programin e qeverisë aktuale për politikën e jashtme dhe shtjellimin e saj nga Ministria e Punëve të Jashtme. Përkrahja, sponsorizimi apo dhe mosreagimi me vendosmëri ndaj tezave për shkëmbim territoresh/korrigjim kufijsh në rajon është qasje destruktive që kërcënon paqen dhe sigurinë e rajonit dhe në mospërputhje me angazhimet e detyrimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s dhe minon besueshmërinë e vendit tonë si faktor stabiliteti në rajon”,- tha Metaj.
Një tjetër problematikë për Gent Cakajn gjetur nga presidenca lidhet me certifikatën e tij të sigurisë, pasi i propozuari për ministër ka rrezikuar informacionet e klasifikuara sekrete.
Për këto arsye presidenti Meta thotë se “kandidatura e z. Gent Cakaj nuk i plotëson kushtet, nuk krijon besueshmëri dhe nuk ofron garancitë e nevojshme për ushtrimin me objektivitet dhe në lartësinë e kërkuar të detyrës tepër të rëndësishme të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme”.
Pas këtij vendimi ka reaguar kryeministri, Edi Rama, i cili thotë se refuzimi i presidentit është i turpshëm dhe antikushtetues.
Ndërkohë, ish-ministrja e jashtme e Kosovës, Edita Tahiri, përshëndeti vendimin, duke theksuar se Cakaj ishte pro prekjes së kufijve të Kosovës. I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit Rama, i cili tha se Edita Tahiri u bashkua me qyqarët që përshëndesin vendimin e Metës.
Deri më tani Meta i ka dekretuar të gjitha propozimet për ndryshime në qeveri të propozuara nga kryeministri, Edi Rama, me përjashtim të lirimit nga detyra të ministrit, Ditmir Bushati.
LULJETA NDOKA
