Botë
Reshjet e borës, kaplohet rajoni dhe Europa
10.01.2019 18:31
Reshjet intensive të borës kanë shkaktuar kaos në komunikacionin e disa vendeve të rajonit dhe Evropës....

Situata e renduar nga moti i keq me borë e ngrica ka bllokuar lëvizjen e automjeteve në Rrugën e Kombit në Shqipëri. Gjatë paradites automjetet nuk kanë qarkulluar në të dy drejtimet e rrugës. Në orët e pasdites është bllokuar autostrada Shkodër-Hani i Hotit, ndërsa trashësia e dëborës në qytetin e Korçës arrin deri në gjysmë metri, ndërsa në zonat malore edhe në një metër, duke lënë të bllokuar disa fshatra malore.
Në Greqi, temperatura arriti deri në -23 gradë.
Në Athinë dhe Selanik kishte dëborë, ndërsa Qiproja përjetoi shi dhe borë të madhe.
Në Turqi gjithashtu kishte automjete të bllokuara në borë, duke i detyruar punëtorët e shpëtimit në vendin e ngjarjes për t’i tërhequr ato.
Gjendja më alarmante thuhet të jetë në Gjermani dhe Austri, me paralajmërime gjithashtu se në këto dy vende, para fundjavës, niveli i borës pritet të arrijë deri në 2 metra lartësi. Gjithashtu bëhet e ditur se të paktën 15 njerëz kanë vdekur mes kaosit të motit duke përfshirë një djalë 16-vjeçar gjermano-australian, i cili gjeti vdekjen në një pjerrtësi të skive në Austri.
Në Bavari, në Gjermaninë jugore, kishte 100 aksidente automobilistike vetëm në një natë, ndërsa moti bëri që rrugët të jenë shumë të rrëshqitshme dhe bllokime të mëdha të trafikut. Trenat gjithashtu janë përballur me vonesa të shumta. Për të shtuar kaosin e udhëtimit, qindra fluturime janë anuluar në Gjermani, mes një greve nga stafi i sigurisë së aeroportit.
