Kaos në Europë nga moti i lig, shtohet numri i viktimave dhe i të lënduarve (VIDEO)

11.01.2019 15:45

I ftohti polar dhe reshjet e borës që kanë përfshirë kontinentin e vjetër

I ftohti polar dhe reshjet e borës që kanë përfshirë kontinentin e vjetër, vazhdojnë të shkaktojnë probleme gjithandej.

Shtatë janë vdekjet e regjistruara vetëm në Austri prej motit ekstrem, në vetëm një javë, dy skiatorë mungojnë që prej së shtunës.

Ekipeve të shpëtimit në Austri iu është dashur të bëjnë llogari me një shtresë dëbore që mbërrinte deri në gjoks, për të shpëtuar një skiator 41-vjeçar polak, i cili kishte humbur orientimin.

Në disa zona të Austrisë, trashësia e borës mbërriti deri në 3 metra, duke paralizuar jetën e banorëve.

 

Një 9-vjeçar ndërroi jetë nga rrëzimi i një peme, pranë Mynihut. Reshjet e dendura të dëborës kanë zhytur në kaos pjesë të tëra të Gjermanisë, duke bllokuar rrugë, duke ndaluar trenat, e duke mbyllur shkollat.

Kryqi i Kuq ka ndihmuar drejtuesit e automjeteve, të bllokuar në një autostradë në jug të Bavarisë, ku shërbimet hekurudhore patën gjithashtu probleme të mëdha.

Moti i keq nuk ka kursyer as Zvicrën, ku një ortek goditi një hotel duke lënduar 3 persona. Zona është kontrolluar me kujdes, nga frika se mos kishte njerëz të tjerë të mbetur nën dëborë. Stuhi të fuqishme bore u përplasën edhe mbi veriun e Suedisë, ku shumë rrugë janë praktikisht të pakalueshme.