PRISHTINË-BEOGRAD

Beogradi shkel marrëveshjet me Prishtinën

19.08.2014 12:23

Po bëhen gati 3 vjet prej kur zyrtarë të lartë të Kosovës janë deklaruar të gatshëm për një traktat paqeje me Serbinë, përmes të cilit nisën edhe dialogun politik në Bruksel....

Por, si raporton KTV, Beogradi zyrtar jo vetëm që vazhdon të mohojë shtetësinë e Kosovës, por vazhdon t’i shkelë edhe marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Serbia, krahas rrugës që po bën drejt anëtarësimit në BE, duke plotësuar kriteret nga aspekti i brendshëm, po vazhdon t’i mbështesë e t’i financojë njëkohësisht strukturat ilegale në veri të vendit. I vetmi presion që po i bëhet shtetit fqinj është ai nga vendet e fuqishme, si Britania e Gjermania, të cilat po e kushtëzojnë vazhdimin e rrugës evropiane të Serbisë me normalizimin e raporteve me Kosovën.

Të dy këto vende që e duan Kosovën me ulëse në OKB kërkojnë që, përmes traktatit të paqes, Serbia, jo vetëm t’i respektojë marrëveshjet e arritura në bisedime, por edhe të sigurojë se nuk do ta pengojë ulësen e Kosovës në OKB dhe në organizatat tjera ndërkombëtare.

Njohës të integrimeve evropiane në vendin tonë thonë se është fatkeqësi që partnerët ndërkombëtarë kanë kujdes më të madh për Kosovën sesa pati për vite qeveria kosovare.