GAZA

Gaza, shtyhet edhe 24 orë armëpushimi

19.08.2014 14:48

Zyrtarët palestinezë dhe ata izraelit, kanë gjetur gjuhën e përbashkët për të shtyrë edhe për 24 orë armëpushimin në Rripin e Gazës pas bisedimeve që po zhvillohen në Kajro.....

Zgjatja e armëpushimit është konfirmuar nga Qeveria egjiptiane, e cila tha se delegacioni palestinez dhe ai izraelit kishin rënë dakord për të vazhduar negociatat, për të arritur një marrëveshje të përhershme.

Pas konsultimeve, ekipet negociuese u rikthyen gjatë ditës së diel në Egjipt për vazhdimin e bisedimeve. Izraeli kërkon garanci për çarmatosjen e Hamasit dhe fraksioneve të tjera në Gaza. Ndërsa palestinezët po bëjnë thirrje për t’i dhënë fund bllokadës izraelite pa kushte.

Militantët e Hamasit, këmbëngulin se nuk do të heqin dorë nga armët e tyre, ndërsa Izraeli kërkon të kontrollojë lëvizjet në Gaza, për të parandaluar kontrabandën e armëve. Izraeli është i shqetësuar edhe nga importi i materialeve të ndërtimit në Gaza, të cilat sipas tyre, mund të ndihmojnë Hamasin në ndërtimin e rrjetit të tuneleve.

I dërguari i Kombeve të Bashkuara në Lindjen e Mesme, Robert Serri, tha se organizata ishte e gatshme për të mbikëqyrur importet e materialeve të ndërtimit të dërguara në Gaza. Importi i këtyre materialeve ishte shumë i rëndësishëm për popullsinë në Gaza, duke parë shkatërrimet e mëdha të ndërtesave që prej fillimit të bombardimeve. Autoritetet palestineze kanë bërë të ditur se të paktën 2016 persona kanë mbetur të vrarë në radhët e tyre që prej fillimit të ofensivës izraelite në Gaza. Si pasojë e luftimeve të ashpra mes palëve, janë vrarë edhe 66 izraelitë.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, kërcënoi Hamasin, duke thënë se militantët do ta pësonin keq nëse do të rifillonin sulmin me raketa. Ai shtoi se ushtria izraelite ishte e gatshme për të gjitha skenarët e mundshme dhe ishte e përgatitur për të rinisur zjarrin nëse do të kishte sulme. (Adnan Hajdari, TVM2)