Botë
Irak, fëmijët sigurojnë ushqim për familjet
19.08.2014 14:54
Në një cep të fshatit Sharyia në Kurdistan, çdo ditë mblidhet një turmë e madhe njerëzish...

Këtu ndahet ushqimi për refugjatët. Fëmijë dhe gra zgjasin duart për një pjatë supë dhe pak oriz.
Kuzhina ushqen mijëra njerëz në ditë, shumica e tyre fëmijë. Për shumë prej refugjatëve, ky është i vetmi vakt i ditës. Faleh, Zidan, Randa dhe Dilnaz kanë mbledhur ushqim për katër familje refugjatësh.
Në Sinjar, ata nuk kishin problem me urinë, por këtu gjërat kanë ndryshuar në mënyrë drastike.
Ata rrinë me orë në radhë çdo ditë, për të arritur pjatën me ushqim.
Faleh, bashkë me motrën dhe vëllanë e vogël, udhëtojnë me kilometra për të marrë ushqimin për familjen që i pret në tenda. Udhëtimi ditor është i lodhshëm, por këtu është më mirë se në rrëpirat e malit Sinjar ku kaluan një javë.
“Ne u larguam nga toka e gjyshërve të mi. Fshati ynë ishte i bukur, tani mbetëm pa shtëpi. Më parë nuk kishim problem, shtëpia jonë ishte shumë e bukur, me dëshirë asnjëherë nuk do të kishim ardhur këtu”- deklaroi Faleh.
“I lamë të gjitha dhe shkuam në mal. Lamë shtëpinë, gjetëm ca pemë dhe u strehuam poshtë tyre. Nuk kishim asnjë rrobë për tu ndërruar. Asgjë. Shumë njerëz binin gjatë rrugës nga uria dhe etja. Na lusnin për ujë, por as ne nuk kishim”- theksoi Zidan.
Këtu ushqimi ruhet kryesisht për fëmijët. Të rriturit hanë fare pak, që të mbetet më shumë për të vegjlit. Këta fëmijë tani janë përgjegjës për ushqimin ditor të familjeve të tyre. Ata janë rritur për dy javë, lojërat i kanë lënë pas dhe janë gati për kohët e vështira që ende i presin.
MIGENA GORENCA
