Botë
Gazi rus, ShBA “kërcënon” Gjermaninë
14.01.2019 11:29
Ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell, paralajmëroi se kompanitë e përfshira në projektin rus të gazit, Rrjedha e Veriut 2, do të përballen me sanksione nëse nuk tërhiqen.....

Ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell, paralajmëroi se kompanitë e përfshira në projektin rus të gazit, Rrjedha e Veriut 2, do të përballen me sanksione nëse nuk tërhiqen. Presidenti, Donald Trump, ka akuzuar Gjermaninë se po bëhet rob i Rusisë, për shkak të varësisë ndaj energjisë nga Moska. Ai ka kërkuar ndalimin e gazsjellësit prej 11 miliardë dollarë.
Tubacioni, që do të transportojë gazin direkt në Gjermani nëpërmjet detit Baltik, ka nisur konflikte me vendet aleate për shkak se i privon Ukrainës tarifat e majme të tranzitit për gazin rus. Ambasadori amerikan e shpjegoi çështjen në një letër drejt disa kompanive, sipas ambasadës së Shteteve të Bashkuara.
“Letra i kujton çdo kompanie që operon në sektorin e eksportit të gazit nga Rusia, se është nën rrezikun e sanksioneve amerikane”, bën të ditur zëdhënësi, duke shtuar se shtetet europiane kundërshtojnë gjithashtu gazsjellësin. Gjermania dhe disa vende të tjera në Europë, akuzojnë Uashingtonin për përdorimin e aktit të sanksioneve që të ndërhyjë te politikat e jashtme dhe të energjisë.
