Botë

Mosdekretimi i Cakajt nga Meta, Rama i kërkon Metës të jetë edhe ministër i jashtëm

14.01.2019 19:38

I vendosur përballë refuzimit të Ilir Metës për të dekretuar Gent Cakajn si ministër të jashtëm, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama...

I vendosur përballë refuzimit të Ilir Metës për të dekretuar Gent Cakajn si ministër të jashtëm, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka gjetur një zgjidhje të përkohshme.
 
Ai i ka propozuar presidentit që të jetë njëkohësisht edhe ministër i jashtëm edhe kryeministër, ide të cilën kreu i shtetit ia kishte sugjeruar më herët.
 
"Presidenti s'e ka ç’dekretuar ministrin e jashtëm në afatin kushtetues. Shkelje e radhës që do ta ballafaqojmë bashkë me të tjerat në Gjykatën e re Kushtetuese. Deri atë ditë që vjen shumë shpejt, do të jem de jure në këtë rol, sepse s'kemi kohë për të humbur në kërkim të presidentit",- tha Rama. 
 
Në vijim të përplasjes mes dy institucionesh, Ilir Meta u përgjigj me ironi në rrjetet sociale duke thënë: “Presidenti në krye të punës. Për presidentin e para është Kushtetuta dhe sundimi i ligjit. Jo më shtet fals. Shqipëria e para”.
 
Në pritje të dekretit të Metës, Rama angazhohet të jetë edhe ministër i jashtëm sa për këtë çështje të shprehet Gjykata Kushtetuese, ku socialistët do të dorëzojnë shpejt ankimimin.
 
Nëse vendimi i Gjykatës së Re Kushtetuese do të jetë kundër sjelljes së presidentit, atëherë do të propozohet sërish Gent Cakaj për të qenë ministri i ri i jashtëm.
 
Ndërkohë, nesër nisin procedurat për plotësimin e Gjykatës Kushtetuese, proces i cili mund të kërkojë disa javë kohë.
 
Deputetët socialistë kanë marrë njoftim që të jenë në Tiranë të mërkurën, pasi, nëse Presidenti e dekreton Ramën edhe si ministër të jashtëm, do të mbahet një seancë e parakohshme për të miratuar ndryshimet në qeveri.
 
LULJETA NDOKA