Dështon raketa satelitore e Iranit
Irani tha se e nisi një raketë satelitore për në orbitë mirëpo ajo dështoi të arrijë në destinacion...

Veprimi i Iranit, vjen pas paralajmërimeve në rritje nga Shtetet e Bashkuara, se testet iraniane me raketa përbëjnë shkelje të rezolutave të Kombeve të Bashkuara.
Ministri i Telekomunikacionit, Mohammad Javad Azari Jahromi i tha televizionit shtetëror se raketa me satelit nuk arriti “shpejtësinë e nevojshme” në fazën e tretë të nisjes.
Ai nuk tha se çfarë e shkaktoi dështimin, por u zotua se shkencëtarët do të vazhdonin hulumtimet e tyre. Irani është zotuar të dërgojë dy satelitë në orbitë.
Teherani po përballet me paralajmërime gjithnjë e më të ashpra nga administrata e Presidentit të ShBA, Donald Trump.
Sekretari i Shtetit i ShBA.-së, Mike Pompeo, ka thënë se planet e Iranit demonstrojnë kundërshtimin e vendit ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Kjo rezolutë i bën thirrje Iranit të mos ndërmarrë veprimtari në lidhje me raketat balistike të afta për të mbajtur armë bërthamore. Irani këmbëngul se testimet nuk e shkelin rezolutën.
Uashingtoni dhe aleatët e saj shqetësohen se e njëjta teknologji për lëshimin e satelitëve mund të përdoret për zhvillimin e raketave bërthamore.
